Albania

Darka në shtëpinë e Thaçit ishte iniciativë e Edi Ramës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj ka folur për darkën që liderët e Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, patën para pak ditësh në shtëpinë e re të Hashim Thaçit.

Kryeministri i Kosovës zbuloi edhe se ishte Edi Rama ai që kishte iniciuar këtë darkë të parashikuar fillimisht në Tiranë dhe që më pas u mbajt në Prishtinë.

“Ka pasur një iniciativë prej kryeministrit Edi Rama për një takim të përbashkët. Në fillim ishte ideja që takimi të ndodhte në Tiranë, por ndodhi në Prishtinë. Ka qenë një bisedë e kujdesshme. Janë të njëjtat tema që i dimë: taksa, dialogu, opsionet e zgjidhjes finale. Këto kanë qenë bisedat por nuk ka pasur ndonjë ndryshim qëndrimesh. Ka qenë në tërësi bisedë e dinjitetshme”, tha Haradinaj.

Në vijim kreu i qeverisë së Kosovës zbuloi edhe prapaskenat e “Darkës së Liderëve”, duke thënë se e sheh të paarsyeshëm zellin e disa politikanëve dhe gazetarëve për të ndryshuar kufijtë.

“Janë këta që shkojnë dhe u ofrohen atyre në Bruksel dhe Beograd me formula. Nuk u ka thënë askush ta bëjnë. Unë vetë nuk kam marrë nga askush prej SHBA një indicie që të favorizojë një variant. Presidenti Hashim Thaçi dhe gazetari Baton Haxhiu nuk kanë arsye të na bindin se ky është opsioni i duhur. Ne nuk jemi të paditur. E shoh Baton Haxhiun të involvuar në agjendë të tejskajshme. Për të na bindur për diçka që nuk është e nevojshme. Nuk e kuptoj misionin e zotit Haxhiu që është angazhuar të na shpjegojë sa i mirë është ky, apo ai opsion. Ai është gazetar dhe mund të ketë opinionet e tij, por nuk mund të kërkojë të bindë politikanët për idetë e tij”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës ka sqaruar se edhe rolin e Edi Ramës në këtë situatë, duke thënë se kryeministri shqiptar është angazhuar dhe e ka shprehur qëndrimin e tij në tavolinë, por duhet të ndalë lobimin, pasi vendimin për kufijtë e Kosovës e marrin politikanët e Kosovës.

“E respektoj mendimin e secilit. Rama le të thotë të vetat. Përgjegjësia e tij është Shqipëria. E shoh në rregull deri tani, por nuk duhet t’i japë vetes më shumë ngarkesë sa mund të mbajë. Ne jemi vetë këtu vendimmarrës”, tha prerë Haradinaj.

Related Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *