Albania

Basha: Të rrëzojmë Ramën, ndërkombëtarët s’i dëgjoj më

“Marrëveshja e 17 majit të vitit 2017 u bë në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm ndërkombëtar për të shmangur konfliktin civil. Iu dha një mundësi Ramës dhe ai e tregoi fare mirë që ky ishte një gabim i madh. Prandaj, kur më pyesin, përse nuk ulesh me Ramën, përse nuk na dëgjon, unë e kam përgjigjen fare të thjeshtë. Ju dëgjova një herë, doli që e kishit gabim. Nuk ju dëgjoj më. Tani do të dëgjoj vetëm qytetarët shqiptarë”, tha Basha.

Menjëherë pas këtij qëndrimi për të huajt, të cilët i kërkojnë të tërhiqet, Lulzim Basha reagoi për thirrjet e SHBA dhe BE-së, të cilët i kërkuan opozitës të shmangë dhunën në protestën e së shtunës.

“Nuk iu kërkoj të jenë palë me asnjë person në Shqipëri, me asnjë parti politike, por i kërkoj të jenë palë me vlerat për të cilat vendet e tyre qëndrojnë, vlerat e demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të luftës kundër korrupsionit, të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës, të luftës kundër shitblerjes së votës”, tha Basha.

Pas takimit që pati bashkë me aleatët e tij me ministrin e Jashtëm çek, Basha nuk dha detaje për protestën, por siguroi për masivitetin e saj.

“Kam bindjen dhe informacionin se do të hyjë në histori si një nga protestat më të mëdha, për të ndalur të keqen dhe për të hapur derën e mbyllur të Europës”, tha Basha.

Pas një muaji, opozitarët do të rrethojnë sërish Kryeministrinë, por këtë herë të zhveshur nga mbrojtja ligjore që iu siguronte mandati i deputetit. Protesta e 16 marsit ka një orë fillimi, por jo përfundimi të saj, ndërsa pesha e fjalimeve iu lihet qytetarëve./TCh/

Related Posts