Kosova

Thaçi: Toleranca dhe bashkëjetesa janë vlera tonat

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur zyrtarin kryesor ekzekutiv të Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer, të shoqëruar nga Votim Demiri, kryetar i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Kongresit Botëror të Hebrenjve.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për ndihmën dhe përkrahjen që shteti i Izraelit u ka dhënë qytetarëve të Kosovës, sidomos në vitet 1998 dhe 1999.

“Miqësia jonë i ka rrënjët thellë në histori dhe në fatet e ngjashme që kemi pasur si popuj”, u shpreh presidenti Thaçi, duke i falënderuar për vendimin që edhe Bashkësia Hebraike e Kosovës të bëhet pjesë e Kongresit Botëror të Hebrenjve.

Siç njofton Zyra e presidentit, zyrtari i Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer theksoi se populli hebre nuk e harron ndihmën e popullit shqiptar për popullin hebraik.

Ai shtoi se shteti i ri i Kosovës ka potenciale të shumta. “E gjeni veten në një rajon të ndjeshëm dhe është i admirueshëm përcaktimi për paqe dhe harmoni mes feve”, u shpreh Singer.

Presidenti Thaçi theksoi se Kosova është shembull i tolerancës mes popujve, feve dhe kulturave.

“Toleranca dhe bashkëjetesa janë vlera tonat”, potencoi presidenti Thaçi, duke shtuar se Kosova është shtëpi e të gjithë komuniteteve të saj.

Related Posts

Leave a Reply