Maqedonia

Rasti i Kumanovës, mbrojtja kërkon anulimin e aktvendimit

Akuzat terrorizëm dhe për organizim terrorist, me të cilat u dënuan me 746 vite burg 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës kundërshtohen nga mbrojtja.

Avokatët e tyre kërkojnë anulimin e këtij vendimit të shkallës së parë.

Sot, në Gjykatën e Apelit, vazhdoi shqyrtimi i ankesave të të dënuarve nga “Lagja e Trimave”.

Nga pala mbrojtëse e të dënuarve, u tha se akuza për këto vepra penale ka qenë e gabuar që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor. Avokati Elenko Millanov tha se Prokuroria publike është dashur ta ngrit aktakuzën në bazë te fakteve, të cilat sipas tij në Gjykatën Penale nuk kanë qenë të mjaftueshme.

Sipas palës mbrojtëse, termi terrorizëm në të drejtën ndërkombëtare përdoret kur ka sulm ndaj civilëve, ndërsa në këtë rast avokati Naser Raufi thotë se ka pasur një përleshje të armatosur nga të dyja palët. Ai tha se policia ka hapur zjarr pa paralajmërim në Lagjen e Trimave, duke shprehur indinjatën që në shkallë të parë u pranuan të gjitha dëshmitë e propozuar nga Prokuroria, ndërsa nuk u morën parasysh asnjë nga faktet e palës mbrojtëse, të cilat mund ta anulonin aktakuzën.

Aksioni policorë i 9 dhe 10 Majit të vitit 2015 në Kumanovë ka shkaktuar 18 viktima, dhe 30 të plagosur. Të vrarë mbetën 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Nga vendimi i shkallës së parë, 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës u dënuan me 746 vite burg. 7 me burg të përjetshëm, 13 persona u dënuan me 40 vjet burg, 6 persona me nga 20 vjet, njëri nga të akuzuarit u dënua me 18 vjet, dy me nga 14 vjet dhe dy pjesëtarë tjerë me nga 13 vjet. Pas dëgjimit të palës mbrojtëse dhe të prokurorisë, Këshilli Gjyqësorë i Apelit pritet të marr vendimin./Alsat/

Related Posts