Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e operacionit të arrestimit të dy të shumëkërkuarve, Ervin Merlika dhe Fred Xhixha, pas një operacioni në terren të vështirë. Dy të arrestuarit u kapën të armatosur me armë zjarri pistoleta dhe armë gjahu, tha policia.
Elvin Merlika ishte shpallur në kërkim që prej vitit 2022 nga operacioni “Plumbi i Arte”. Ai është i dyshuar për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të Indrit Dokles.
“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin së shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 75”.
Gjatë operacionit me shkallë të lartë rrezikshmërie, në një terren të vështirë në zonën e Fushë-Kuqes pranë lumit, në një banesë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e dy shtetasve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, konkretisht: A. Xh., 42 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe E. M., 47 vjeç, banues në Mamurras”, tha policia.
Të dy personat ishin shpallur në kërkim, pasi GJKKO ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Gjatë kontrollit, forcat e posaçme operacionale gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri tip pistoletë brenda në çanta marsup, si dhe 2 armë gjahu, bashkë me municion luftarak, pa leje. Po gjatë kontrollit u gjetën edhe 2 radio ndërlidhëse si ato të policisë dhe një jelek antiplumb.
Vazhdon puna për dokumentimin dhe gjetjen e provave të tjera.




