A mund të shpëtojë Qeveria e Abazoviqit dhe “skenarët e mundshëm që mund ta përcaktojnë fatin e saj”

 5,485 total views,  1 views today

Tani kur Qeveria e Dritan Abazoviqit në Mal të Zi ka mbetur pa mbështetjen e një pjese të shumicës qeverisëse, ka lindur pyetja nëse do t’i votohet mosbesimi apo do të mbijetojë politikisht, duke siguruar mbështetjen e partive opozitare: Frontit Demokratik pro-rus (DF) dhe Demokratëve.

Këto parti, së bashku me Lëvizjen URA të Abazoviqit, kanë qenë në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2020, por, pas një viti e gjysmë, për shkak të mospajtimeve politike, atyre u është votuar mosbesimi – pikërisht me votat e URA-s, dhe udhëheqësi i Demokratëve, Aleksa Beçiq, është shkarkuar nga posti i kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi.

Analisti politik nga Podgorica, Zllatko Vujoviq, beson se Demokratët do të kenë ndikim kyç në fatin e mëtejshëm politik të Qeverisë së Abazoviqit, e cila ka mbetur pa mbështetjen e shumicës në Kuvend.

Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) kanë ndërprerë mbështetjen për të, pasi Qeveria e Abazoviqit, më 8 korrik, ka miratuar tekstin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Kjo marrëveshje, e cila rregullon marrëdhëniet midis shtetit dhe Kishës, është thënë se kërcënon interesat e Malit të Zi.

“Rënia e Qeverisë aktuale mund të ngadalësojë rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, por ne nuk mund ta tolerojmë neglizhencën ndaj interesave kombëtare”, ka thënë kryetari i DPS-së, Millo Gjukanoviq, njëherësh president i Malit të Zi, më 11 korrik.

Megjithatë, blloku politik që ka votuar për Qeverinë e Abazoviqit, nuk ka mjaftueshëm deputetë për ta shkarkuar atë.

Demokratët dhe DF-ja, me gjithë kritikat dhe rezistencën ndaj Qeverisë së pakicës, nuk janë deklaruar ende në mënyrë eksplicite nëse do të votojnë për shkarkimin e Qeverisë ose jo.

Tre skenarë dhe pasojat

Vujoviq thotë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se ekzistojnë së paku tre skenarë për fatin e Qeverisë së Abazoviqit.

Njëri është votimi i mosbesimit për Qeverinë.

Në këtë rast, thotë Vujoviq, palët e interesuara për rrëzimin e Qeverisë, do të duhej të siguronin mbështetjen e Demokratëve të Beçiqit.

“Opsioni më real është që Demokratët apo dikush tjetër nga opozita, të sigurojnë votat për shkarkimin e Qeverisë së Abazoviqit dhe, pas kësaj, të vendoset nëse Qeveria aktuale do të lejohet të zhvillojë procesin zgjedhor apo do të formohet qeveri e re”, thotë Vujoviq.

Por, ai shton se Qeveria do të mund të mbijetojë politikisht, nëse shpëtimi i saj është në interes të Kishës Ortodokse Serbe. Ai vë në dukje edhe marrëdhëniet e ngushta të Demokratëve me Kishën.

“Nëse ndodh që ata [Kisha Ortodokse Serbe] ushtrojnë ndikim te Demokratët – të cilëve u konvenon rrëzimi i Abazoviqit – atëherë kryeministri aktual mund të shpresojë në vazhdimin e mandatit të tij. Përndryshe, na pret shkarkimi i Abazoviqit dhe Qeverisë së tij”.

“Prandaj, faktori kyç që mund të shpëtojë Qeverinë e Dritan Abazoviqit është Kisha Ortodokse Serbe, përmes ndikimit të saj te Demokratët”, thotë Vujoviq.

Qeveria e Abazoviqit ka miratuar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe më 8 korrik – pas së cilës gjë kanë pasuar kritika të ashpra.

“Qeveria ka braktisur agjendën e integrimeve evropiane dhe me nguti, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa u konsultuar me ekspertë, ka bërë marrëveshje me Kishën Ortodokse Serbe, duke u shkaktuar dëme të pallogaritshme interesave shtetërore të Malit të Zi”, kanë thënë nga DPS-ja.

Abazoviq ka thënë se do të shihet se “cili është qëndrimi i shumicës së deputetëve”, duke lënë të kuptohet se DPS-ja nuk do të mund të sigurojë shumicën prej 41 deputetësh për shkarkimin e Qeverisë së tij.

Ndonëse janë kritikë të ashpër të kryeministrit Abazoviq dhe kanë protestuar në disa raste kundër Qeverisë së tij, Demokratët kanë mbështetur më herët nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Por, nga sektori civil e kritikojnë Qeverinë e Abazoviqit për, siç thonë, injorancë.

Daliborka Ulareviq, nga Qendra për Edukim Qytetar, thotë se Abazoviq dhe ministrat janë “mbyllur hermetikisht” ndaj të gjitha argumenteve që ka ofruar sektori i OJQ-ve.

Ulareviq thotë se paralajmërimi i Abazoviqit se do të organizojë konsultime me sektorin joqeveritar dhe ekspertët për marrëveshjen që tashmë është miratuar, është “fyerje e logjikës”.

Më 11 korrik, Qendra për Edukim Qytetar ka prezantuar një sondazh të opinionit publik, i cili ka nxjerrë në pah se vetëm 11 për qind e qytetarëve kanë qenë të interesuar për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Vujoviq, në anën tjetër, thotë se ekzistojnë edhe dy skenarë të tjerë, por më pak të mundshëm.

Njëri, sipas tij, është ripërcaktimi i marrëdhënieve brenda shumicës aktuale qeverisëse, që, siç thotë ai, do të nënkuptonte tërheqjen e Abazoviqit. Por, Vujoviq nuk beson se Abazoviq do ta pranonte këtë.

I dyti është formimi i një koalicioni të ri midis DF-së, Demokratëve dhe URA-s.

“Formimi i një shumice të re nga partnerët e vjetër është ndoshta skenari më pak i mundshëm, sepse nuk zgjidh çështjen e integrimit evropian dhe nënkupton hyrjen e DF-së në Qeveri – gjë të cilën partnerët tanë perëndimorë e kanë kundërshtuar deri më tani”, thotë Vujoviq.

Abazoviq – Qeverinë e të cilit e mbështesin partnerët perëndimorë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – nuk ka marrë mbështetje të qartë nga Brukseli dhe Uashingtoni për miratimin e Marrëveshjes Themelore.

Për më tepër, ambasadorja e Republikës Çeke në Mal të Zi, Janina Hrebickova – vendi i së cilës kryeson aktualisht me Bashkimin Evropian – ka thënë se nga pikëpamja e Brukselit, marrëveshja me Kishën nuk është prioritet për integrimin evropian të Malit të Zi.

A janë zgjedhjet e reja opsion?

DPS-ja dhe SDP-ja kanë gjithashtu mundësi që të ndërmarrin një iniciativë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, e cila do të çonte pastaj në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Edhe për këtë iniciativë – si në rastin e mosbesimit ndaj Qeverisë – përveç votave të partive të pakicave, të cilat nuk dihet nëse i kanë, u duhet së paku edhe një votë nga radhët e partive të mbledhura rreth Frontit Demokratik pro-rus ose Demokratët.

Edhe pse këto parti, pas rënies së Qeverisë së mëparshme, në prill të këtij viti, kanë kërkuar zgjedhje të reja – duke i konsideruar ato si opsion më korrekt sesa zgjedhjen e Qeverisë pakicë të Abazoviqit – ato, aktualisht, nuk duan të deklarohen nëse do ta mbështesnin ose jo shkurtimin e mandatit të Kuvendit.

As qëndrimi i partive të pakicës për këtë çështje nuk është i qartë.

Por, një tjetër pengesë në rrugën drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme është edhe situata në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo garanton mbrojtjen e të drejtave të votës dhe pa një Gjykatë Kushtetuese funksionale, nuk do të ketë mbrojtje institucionale në rast se shkelen të drejtat zgjedhore të qytetarëve.

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi aktualisht ka katër gjyqtarë dhe njërit do t’i skadojë mandati së shpejti.

“Gjykata Kushtetuese, së shpejti, do të ketë vetëm tre anëtarë. Kjo nuk mjafton, sepse për të marrë vendime për zgjedhjet, duhet të ketë së paku katër”, thotë Vujoviq.

Për këtë arsye, shton ai, aktualisht nuk mund të flitet për caktimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Qeveria e Dritan Abazoviqit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë. /rel/