Arteta mbron Xhakën pas gabimit ndaj Burnleyt

 423 total views,  5 views today

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, i ka dalë në mbrojtje mesfushorit shqiptar, Granit Xhaka, pas gabimit që i kushtoi me barazim në ndeshjen ndaj Burnleyt.

Ishte minuta e 39-të kur Xhaka në zonën e rreptësisë para portës së Arsenalit qëlloi me top gabimisht Chris Woodin e Burnleyt dhe topi përfundoi në portën e portierit Bernd Leno.

Me gabimin e së shtunës, Xhaka hyri në listën e rekordeve të zeza në Premier League. Ai arriti në tetë gabime fatale, që nga sezoni 2016-17 duke u bërë futbollisti me më së shumti gabime në Premier League në këtë periudhë kohore.

Pas ndeshjes, Arteta ka arsyetuar Xhakën duke thënë se “kjo mund të ndodhë në futboll”. Ai ka lënë një pjesë të përgjegjësisë te portieri Bernd Leno duke thënë se ai duhet të dijë më mirë kur duhet të nisë lojën me topa të gjatë e kur të shkurtër.

“E kemi përdorur Lenon (portierin) dhe u përpoqëm të përdorim mesfushorin në këtë situatë. Kemi realizuar gol nga Aubameyangu pas lojës së nisur nga Leno. Kemi pranuar një shans dhe kjo vjen nga Leno që vendosi të gjuajë larg rivënien dhe humbëm kontrollin në topin e dytë nga loja e hapur. Është mënyra si luajmë, si duam të luajmë dhe duhet të dimë rreziqet dhe rregullat që janë për pjesë të caktuara dhe si duhet luajtur me topin. Ndodhi çfarë ndodhi. Duket lehtë nga jashtë, por s’është aq lehtë në fushë. Nëse dikush bën gabim sepse dëshiron të luajë, gjithmonë do ta përkrah. Nëse dikush fshihet dhe nuk dëshiron të luajë dhe më pas bën gabim, nuk do ta ketë përkrahjen time”, ka thënë Arteta.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •