Zv.kryeministri i parë i Kosovës për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk e ka krahasuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me shefin e dikurshëm të propagandës në Partinë Naziste të Gjermanisë, Joseph Goebbels.
Bislimi ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës vetëm ka përmendur faktin se personat që janë në pushtet në Serbi sot, është ngjashëm sikur ata që ishin në pushtet në Gjermani edhe pas Luftës së Dytë Botërore,
“Sa për sqarim: në takimin e sotëm në Bruksel, Kryeministri Kurti nuk ka krahasuar Vuçiqin, Odaloviqin e Angjelkoviqin me Joseph Goebbels, Rudolf Hess e Hermann Goering, por vetëm faktin që këta që janë në pushtet në Serbi sot, është ngjashëm sikur ata të ishin në pushtet në Gjermani edhe pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Bislimi në Facebook.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se delegacioni i Kosovës ka dashur të flasë për Veljko Odaloviqin duke e krahasuar me Goebbelsin.