Për shkak të një gabimi në kompjuter, mijëra të dhëna u fshinë nga kompjuteri qendror i policisë britanike, deklaroi Ministria e Brendshme.
Gazeta ”Times” raportoi se më shumë se 150 000 të dhëna arrestimi, me të dhëna të ADN-së dhe gjurmët e gishtave janë fshirë nga serverat.
Sidoqoftë, autoriteti theksoi se ”vetëm të dhënat e personave të cilët ishin lëshuar dhe për të cilët nuk ishin kryer hetime të mëtejshme ishin prekur nga kjo anomali”.
“Problemi teknik me kompjuterin e policisë kombëtare është zgjidhur dhe ne po punojmë me partnerë të zbatimit të ligjit për të vlerësuar ndikimin e tij”, deklaroi ministria.
“Çështja kishte të bënte me të arrestuarit të liruar për të cilët nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim i mëtejshëm dhe asnjë regjistër i personave kriminelë ose të rrezikshëm nuk ishin fshirë. Asnjë shënim tjetër nuk mund të fshihet”, shtoi ministria.
”Times” raportoi se gabimi të paktën mund të ndikojë në aftësinë e policisë për të rihapur çështjet./ATSH/