Ceremonia e dhënies së çmimeve nga FIFA do të mbahen virtualisht në muajin tjetër për shkak të përhapjes së koronavirusit në Evropë.
Pandemia tashmë ka bërë që të anulohet dhënia e çmimit “Topi i Artë”, me grupin e L’Equipe që vendosi të mos japë çmim këtë vit për shkak se sezoni ishte i ndalur në gjysmë.
Robert Lewandowski i Bayern Munichut ishte favoriti kryesor për ta fituar çmimin prestigjioz, ndërsa shumë njohës të futbollit kanë thënë se atij i është mohuar çmimi që e ka merituar, transmeton KOHA.
Sidoqoftë, polaku e ka një shans të dytë pasi FIFA njoftoi për ceremoninë e vet. Ishte paraparë që të mbahej në Milan në muajin shtator, dhe tani do të mbahet “online” më 17 dhjetor.
Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo janë në mesin e favoritëve për lojtarin më të mirë të FIFA-s në konkurrencën e meshkujve. Ky çmim do të dhurohet prej votave që do të mblidhen nga kapitenët e shteteve dhe trajnerëve, mediave dhe fansave.