Bill Clintoni kishte refuzuar çajin me Mbretëreshën dhe darkën në Chequers për shkak se donte të ishte “turist” dhe të provonte ushqimin indian gjatë vizitës së parë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar me Tony Blairin si kryeministër, kanë zbuluar dokumentet e klasifikuara.
Kryeministria [Downing Street] donte që vizita e presidentit amerikan të “vendoste një marrëdhënie të mirë pune” mes kryeministrit të ri të atëhershëm dhe presidentit amerikan – të dy do të rezultonin krucial në zgjidhjen e fatit të Kosovës në atë kohë.
Por, Clinton kishte refuzuar çajin me Mbretëreshën e madje edhe darkën me kryeministrin Blair në atë kohë, raporton Guardian.
Në vend të kësaj, Clinton donte të bënte shopping – “ai ka thënë që donte të ishte turist” – dhe ka shprehur interes për të provuar ushqimin indian” shkruhej në shënimin e Downing Street.#
Shumçka ishte në lojë gjatë asaj vizite, me amerikanët dhe britanikët që ishin pajtuar se “duhej të shfaqte presidentin amerikan dhe kryeministrin britanik për botën mbarë si liderë seriozë, të rinj, e dinamikë”.
Sidoqoftë, Clintonët dhe Blair-ët nuk kishin ngrënë darkë në një restorant indian por në një restorant francez të quajtur Le Pont de la Tour dhe fatura kishte kushtuar 298.86 funte për dy çiftet.
Kjo vizitë kishte ndodhur në majin e vitit 1997, dhe marrëdhënia e mirë mes Clintonit dhe Blairit u tregua e rëndësishme edhe për Kosovën më pak se dy vjet më vonë (fillimi i vitit 1999).