Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vlerësuar presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, si një politikan “inteligjent dhe me përvojë,” duke theksuar se ai mund të gjejë “zgjidhje” për tensionet e rritura mes Moskës dhe Perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë.
“Presidenti i ri i zgjedhur është i zgjuar dhe një njeri me shumë përvojë. Mendoj se do të gjejë një zgjidhje”, tha Putin në një konferencë për mediat në Kazakistan.
Ai kritikoi ashpër presidentin aktual Joe Biden, duke e akuzuar për krijimin e “vështirësive shtesë” për administratën e ardhshme të Trump-it, sa i takon vendimit për t’i dhënë Ukrainës raketa të avancuara amerikane ATACMS, të cilat janë përdorur për të goditur objektiva brenda Rusisë.
Trump ka premtuar t’i japë fund luftës në Ukrainë “brenda 24 orësh”, pa zbuluar detaje mbi planin e tij. Ndërkohë, ai ka emëruar gjeneralin Keith Kellogg si të dërguar të posaçëm për vendet në konflikt.
Putin gjithashtu shprehu shqetësim për sigurinë e Trump-it, duke përmendur dy përpjekje për atentat ndaj tij gjatë fushatës zgjedhore.