Kreu i PD-së në Fier, Luan Baçi, e konsideron të papërgjegjshme sjelljen e qeverisë ndaj grevës së naftëtarëve, aq më tepër që tashmë janë ngujuar zonjat.
Baçi: Është e dhimbshme dhe e trishtë të shikosh nëna, motra dhe bashkëshorte që janë futur në grevë urie dhe presin përgjigje nga kryeministri Rama. Kërkesat janë të njëjta, kanë zëvendësuar kolegët e tyre pas 18 ditësh grevë urie. Përsëri qeveria nuk reagon.
Për Ora News, ai thotë se ky problem është i zgjidhshëm.
Baçi: Problemi ka lindur vite më parë. Që me ardhjen në pushtet të Ramës dhe Rilindjes filluan problemet e uzinës së Ballshit. Me pisllëqet dhe paloçllëqet e tij arriti që edhe ato aksione që kishte shteti i kaloi në rrugë të paligjshme te privati.
Edhe pse qeveria thotë se nuk mund të ndërhyjë te privati, Baçi kujton se kontratat ua ka firmosur vetë ajo.
Baçi: Firmat private që e kanë marrë në përdorim uzinë kanë ardhur me kontratë nga kjo qeveri dhe kushtet që duhet tu vendoste duhet të ishin të tilla që të jenë në mbrojtje të naftëtarëve që kanë vite që mbajnë familjet me atë punë. Si ka mundësi, janë ndërruar të gjithë këta pronarë të huaj?Qeveria fshihet vetë pas kësaj afere./Ora News/