Bisedimet postBrexit mes Londrës dhe 27 vendeve anëtare të BE-së pengohen në gjithçka, u shpreh sot presidenti francez, Emmanuel Macron, pas kërcënimit të kryeministrit britanik, Boris Johnson për një “no deal”.
“Një marrëveshje mbi marrëdhëniet tregtare postBrexit kërkon përpjekje, veçanërisht nga Britania e Madhe”, këmbënguli ai.
“Britania e Madhe ka nevojë për një marrëveshje edhe më shumë sesa ne”, shtoi Macron.
Kreu i Shtetit francez theksoi se problemi kryesor janë rregullat e konkurrencës së ndershme.
Sipas tij, propozimi i BE-së, që korrespondon me marrëveshjen me Zvicrën, është hyrja në tregun e vetëm në këmbim të respektimit të rregullave të përbashkëta shëndetësore, mjedisore dhe sociale në drejtim të ndihmës.
Propozimi britanik është hyrja në tregun e vetëm pa respektuar rregullat, që është e papranueshme.