Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë ka reaguar ndaj Ministrisë së Jashtme ruse, e cila ka kërkuar që Marrëveshja e Prespës të dërgohet në OKB.
MPJ greke ka theksuar se marrëveshja e Prespës që nga nënshkrimi kontribuon në përforcimin e paqes dhe stabilitetit të Ballkanit, dhe njëkohësisht është edhe model për zgjidhjen e dallimeve midis dy shteteve të pavarura sovrane nën mbikëqyrje të KB-së, pa përzierje të palëve të treta.
“Partnerët tanë ndërkombëtarë janë thirrur të respektojnë frymën dhe përmbajtjen e marrëveshjes dhe të mirëpresin faktin se udhëheqësit politikë të të dy vendeve kanë treguar guximin e nevojshëm politik, për të arritur një zgjidhje për një çështje veçanërisht të vështirë, duke mbrojtur në të njëjtën kohë interesat e tyre kombëtare”, njofton Ministria e Jashtme Greke.
Qeveria greke shpreh bindjen se Rusia do të respektojë ndjeshmërinë e popullit grek në lidhje me përdorimin e emrit Maqedoni dhe se që tani e tutje vendi do të përdorë emrin e ri kushtetues, gjegjësisht Maqedonia e Veriut.
“Dhe më e rëndësishmja, do të distancohen nga deklarata të ngjashme që ndërhyjnë në punët e brendshme të Greqisë, thonë nga Ministria e Jashtme greke në përgjigjen e tyre rreth pjesës në deklaratën e Ministria së Jashtme e Rusisë ku theksohen zhvillimet e brendshme politike në Greqi.
Përmendja e zhvillimeve politike brenda vendeve mike të Ministrisë së Jashtme ruse nuk është në përputhje me nivelin që karakterizon marrëdhëniet greko-ruse dhe lidhjet e qëndrueshme të miqësisë midis popujve tanë”, thotë Ministria e Punëve të Jashtme në Greqi.