Ministri britanik i shëndetësisë aksioner në kompaninë e testeve Covid-19

 159 total views,  2 views today

Një ministër i konservatorëve në pushtet në Britani është zbuluar së fundmi nga mediat me aksione të konsiderueshme në një kompani private të testimit dhe kontrollit për Covid, në një konflikt të hapur interesi mes zyrtarëve publikë.

E përditshmja britanike The Guardian shkruan se biznesmeni Nick Markham, ministër shëndetësie i kabinetit të Liz Truss zotëronte rreth 30% të kompanisë mjekësore Cignpost Investments, gjatë katër muajve të parë që ishte në post.

Kompania ishte krijuar gjatë pandemisë Covid për testime dhe shërbime të tjera, edhe pse biografia e Markham nuk përmend interesat e tij në sektorin privat.

Markham u bë ministër shëndetësie në shtator dhe kishte shpallur kompaninë Cignpost në listën e tij të interesave në parlament.

Opozita laburiste e Demokrat Liberale tha se është “e papërshtatshme” që një ministër të mbajë aksione të tilla.

“Këto interesa janë të papërshtatshme dhe më saktë jo-etike,” tha zëdhënesja liberal demokrate Sal Brinton.

“Ministrat duhet të heqin konfliktin e interesit për të fituar besimin e publikut. Markham duhet të largojë këto interesa dhe kryeministri Rishi Sunak duhet të gjejë një tjetër këshilltar për etikën”, shtoi ajo

Grupi Cignpost nuk kishte marrë kontrata qeveritare gjatë pandemisë por ka pasur fitime marramendëse prej politikave të testimit rregullisht të njerëzve kur testimet e detyrueshme u bënë me pagesë.

Nën-dega e saj Cignpost Diagnostics, ka fituar më shumë se 20 milionë paundë gjatë nëntë muajve të operimit në 2021, shkruan The Guardian.

Ministria britanike nuk i është përgjigjur pyetjeve për konfliktin e hapur të interesit por Markham i ka thënë departamentit se është duke shitur aksionet e tij.

Aksionet e Markham në kompaninë shëndetësore janë skandali më i fundit me emërimet e ministrave britanikë mbi lidhjet e tyre me interesa financiare të lidhura me postet e tyre.