Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka tha se tashmë shqiptarët duhet të marrin në duar fatin e tyre.
Ai theksoi se protesta e 16 shkurtit është kërkuar nga qytetarët për rrëzimin e qeverisë.
“Njerëzve u ka ardhur në majë të hundës. Pakënaqësia ndaj kryeministrit është kthyer gati në urrejtje dhe këtë e shprehin kudo ku hasen me problemet dhe hallet. Ne e kemi prekur këtë realitet. Ka qenë këmbëngulja e qytetarëve për t’u ngritur në një protestë për të rrëzuar këtë qeveri. Sot, kërkesa e qytetarëve është për të dalë në një protestë për ta rrëzuar këtë qeveri. Problemet e tyre zgjidhen me largimin e kësaj qeverie”, tha Paloka.
Më tej, nënkryetari i PD foli edhe për hapat e protestës dhe synimeve të saj. “Protestohet për hallet e qytetarëve. Hapat e mëtejshëm janë largimi i kësaj qeverie dhe më pas krijimin e kushteve për krijimin e zgjedhjeve të lira. Sot zgjedhjet i përcaktojnë banditët. Ne i japim edhe alternativën qytetarëve dhe shpalosja e programit ekonomik është një ndër hapat e opozitës.
Kjo protestë nuk ka të bëjë fare me 21 janarin, ku Rama synoi të merrte pushtetin me dhunë. Nëse nuk proteston për të drejtat e tua, e meriton qeverinë që të të shkelë. Ne nuk i çojmë njerëzit të lënë kokat në kryeministri për të marrë karrigen Lulzim Basha, të cilën do ta bëjë me votë. Në këtë protestë nuk do të ketë dhunë”, u shpreh ndër të tjera Paloka.