Kosova

Ambasadori amerikan kritikon ata që kufizojnë temat e bisedimeve Kosovë – Serbi

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se vendosja e vijave të kuqe, e vështirëson dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai thotë se si negociator, nuk do të dëshironte që të shkon në negociata me shumë njerëz, ku do t’i thuhej  për çfarë nuk mund të flas.

“Çfarë ne kemi thënë është që ne nuk kemi vija të kuqe dhe nuk jemi duke shkruar ‘çeqe boshe”. Më lejoni që të shpjegoj këto dy shprehje. Si negociator, unë, nuk dëshiroj që të shkoj në negociata me shumë njerëz ku do të tregonin se çfarë nuk mund të flas. Ne mendojmë se nëse Ëashingtoni, Brukseli, Londra, Berlini e Parisi janë duke iu thënë negociatorëve, se ju nuk mund të flisni për këtë apo për atë, kjo e bën shumë të vështirë që të ketë një diskutim të gjerë. Kjo është ajo se çfarë nënkuptojmë ne me atë se ‘nuk kemi vija të kuqe’”, ka thënë Kosnett për Radio Kontakt Plus.

Ai ka thënë se dëshirojnë që të bisedohet për çfarëdo që palët dëshirojnë.

Kosnett ka thënë se dëshirojnë të shohin se cilat janë idetë e Beogradit dhe Prishtinës për të zgjidhur problemin, por thekson se SHBA-ja nuk do të jetë aty për të përkrahur çfarëdo ide.

“Kur themi se nuk ka ‘çek bosh’, duam të themi se duam të shohim se cilat ide dhe zgjidhje do të prezantohen nga negociatorët nga Kosova dhe Serbia dhe pastaj do të shohim se çfarë mendojmë për to. Sigurisht, nëse Kosova dhe Serbia janë të afta të definojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që plotëson nevojat e njerëzve të dy shteteve dhe që është e qëndrueshme, do të ishte një arritje e madhe, dhe ne do dëshironim që ta mbështesim atë. Kjo është një pikë që unë dua ta nënvizojë: Nëse arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, SHBA-ja nuk do jetë aty vetëm për të përgëzuar të gjithë të për të ikur. Ne do të qëndrojmë të lidhur me procesin, për të qenë të sigurt që njerëzit përmbushin premtimet e tyre, dhe që procesi të implementohet, sepse një marrëveshje nuk përfundon në momentin kur vendosen nënshkrimet në një copë letër. Aty marrëveshja fillon”, ka thënë ndër të tjera Kosnett.

Related Posts