Albania

Bushati: Ndarja e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut, gabim strategjik për BE

Pas deklaratave të Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili u shpreh se ndarja e Shqipërisë me  Maqedoninë e Veriut nga BE-ja do të ishte një vendim i dhimbshëm, por rruga e vetme për të ecur përpara për negociatat.

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka reaguar në twitter duke shkruar se ky në fakt do të përbënte një gabim strategjik nga ana e Brukselit dhe vendeve anëtare.

“Të dyja, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë bërë detyrat e shtëpisë sipas KE. Në këto kushte ndarja e tyre do të bënte një gabim strategjik për BE. Nevoja për të lançuar hapjen e negociatave korrespondon me kërkesat e shoqërive të dy vendeve, të historisë dhe rajonit”, shkruan Bushati në një postim në twitter.

Presidenti, Stevo Pendarovski, në një intervistë për Euroactiv tha të premten se rastet e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut duhen trajtuar ndarazi, pasi problemet në Tiranë janë më serioze se në Shkup.

“Kemi bërë detyrat që na janë kërkuar, kemi firmosur edhe mrekullinë politike që ishte marrëveshja me Greqinë. Nuk ka politikan në Europë të na thotë se nuk i meritojmë negociatat. Kurse Shqipëria përballet me një kaos të vërtetë. Opozita ka dalë nga institucionet dhe situata sa vjen e tensionohet. Pra si mund të krahasohemi?”, thotë Pendarovski./Ora News/

Related Posts