Albania

PD: Rama të mos e çojë popullin në vëllavrasje

Partia Demokratike në Dibër ka reaguar nëpërmjet z. Xhemajl Gjunkshi pas përgjimeve të reja të publikuara mbrëmë nga gazeta Bild, ku sipas tij dëshmohet se zgjedhjet në Dibër u vodhën dhe u blenë nga qeveria në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe dirigjent i kësaj skeme ishte vetë kryeministri Edi Rama.

“U dëgjua regjisori Damian Gjiknuri i cili me paratë e shqiptarëve dhe me grupin e gangsterëve kishte shkaktuar “tërmet”! U dëgjua Ulsi Manja, i cili pas atyre “vjedhjeve” u gradua Kryetar i Komisionit të Ligjeve, njeriu që do të bënte dhe po bën Reformën në Drejtësi, ose siç i themi ne nga Dibra “Me i var ujkut mëlçitë për qafe” U dëgjua Saimir Tahiri i cili flet me shefat politik policor për vjedhje votash si dhe politizimin e  kupolës se Policisë së Shtetit! U dëgjuan drejtorët e institucioneve dhe të bashkisë, që herë bënin pazare për vota e herë bënin presion duke ofenduar, poshtëruar e intimiduar votuesit!”, tha Gjunkshi.

Sipas Gjunkshit këto përgjime tregojnë qartë se kjo qeveri është jo legjitime.

“Pushteti vendor në Dibër  është blerë me paratë e pista të drogës dhe të krimit. Përgjimet tregojnë se: Policinë vendore Dibër dhe Policinë e Shtetit e drejtojnë banditë, bashkëpunëtorë të krimit dhe matrapazë votash. Që mësuesit zhdukeshin nga vendi i punës, nëse nuk deklaronin votën hapur. Këto përgjime treguan se të gjithë këto ministra, deputetë, drejtorë përfshi edhe vetë Kryeministrin, funksiononin sipas skenarit të bosit te krimit Imer Lala” shtoi përfaqësuesi i PD

Nga selia e PD, ai i bëri thirrje Kryeministrit që të mos e çojë popullin në vëllavrasje dhe të dorë-hiqet.

“Në këtë situatë tejet të rëndë, me pasoja të pa parashikueshme për vendin; për të mos e dërguar  popullin në vëllavrasje, i bëjmë thirrje Kryeministrit dhe qeverisë të dorë-hiqen menjëherë nga ëndrrat diktatoriale për të bërë votime komuniste! Të shkarkohet dhe të merret nën hetim menjëherë Ulsi Manja nga Kryetar i Komisionit të Ligjeve, si njeri i pabesueshëm për të ndjekur reformën në drejtësi. Të arrestohet Damian Gjiknuri si truri i vjedhjeve të votave në Dibër. I bëj thirrje ushtar Lleshajt që të distancohet nga kjo bandë e organizuar kriminale”, tha

Zoti Gjunkshi theksoi se ky grup i mirë strukturuar kriminal, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën zgjodhi marionetën e tyre Arta Marku si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, personi që së bashku me ekipin e saj varrosën  të gjitha dosjet e krimit duke përfshirë edhe dosjen 184!

“Harrojeni që në këto kushte dhe me këtë bandë kriminale mund të realizoni votimet me datë 30 Qershor 2019”, tha ai.

Gjunkshi u bëri thirrje dibranëve dhe të gjithë shqiptarëve të bashkohen ditën e Premte në orën 20:00 para Kryeministrisë, për të protestuar dhe për të larguar këtë qeveri kriminale.

Top Channel

Related Posts