Kosova

Thaçi për La Vanguardia: Kosova nuk është Kataluni, Spanja nuk është Serbi


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për gazetën më madhe katalunase “La Vanguardia”. Në këtë intervistë, Thaçi ka thënë se Kosova është një rast i veçantë në rrugëtimin e saj të lirisë dhe pavarësisë.

Prandaj, sipas tij, rasti i Kosovës është unik dhe nuk mund të krahasohet me asnjë pjesë tjetër të botës. “Rasti i Kosovës është i veçantë. Në Kosovë ka pasur spastrim etnik dhe gjenocid nga ana e sundimit të Sllobodan Millosheviqit. Spanja nuk është Serbi, nuk është e qeverisur nga Sllobodan Millosheviçi, e as Katalunja nuk është Kosova”, ka theksuar Thaçi në këtë intervistë, e cila ka bërë jehonë të madhe në Spanjë.

Presidenti Thaçi, edhe në këtë intervistë ka ftuar sërish Spanjën që ta njohë Kosovë, meqë ky do të ishte vendim i drejtë.

Në këtë intervistë, Thaçi ka folur edhe për përpjekjet e Kosovës për të arritur një marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse për njohje reciproke me Serbinë, e cila do t’i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB.

Sipas tij, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë pa kushte nga ana e Serbisë, sepse një dialog ka vërtet kuptim kur nuk është i kushtëzuar.

“Tarifat janë një vendim i një shteti sovran, janë të drejta, të ligjshme, nuk do të hiqen dhe duhet të respektohen”, thotë Thaçi, duke i bërë thirrje BE-së që të “veprojë në një mënyrë të unifikuar dhe të koordinuar me SHBA-në për të përfunduar procesin këtë vit “.

Në këtë intervistë, Thaçi është pyetur edhe për krijimin e ushtrisë së Kosovës, për të cilën Parlamenti i Kosovës.

“Është e drejta jonë, si një shtet sovran dhe i pavarur, të formojmë një ushtri dhe të jetë anëtare e NATO-s. Kjo është një ushtri shumetnike dhe shumë profesionale. Mbi 10% e ushtrisë është e përbërë nga pakicat, gjysma serbe. Pas pranimit në NATO të Shqipërisë dhe më pas të Maqedonisë të Veriut, është radha e Kosovës që të jetë pjesë e saj”, ka shtuar ai

Presidenti i Kosovës ka thënë se Bashkimi Evropian edhe më tutje mbetet korniza më e mirë e modernizimit të shoqërive dhe ruajtjes së stabilitetit politik dhe të sigurisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Vazhdoj të besoj se zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë për Ballkanin është integrimi në BE i të gjitha vendeve në të njëjtën kohë, në mënyrë që ato të mos e bllokojnë njëra-tjetrën”, ka thënë Thaçi, duke aluduar në disa deklarata të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solanës, të cilin ai e përshkruan si një “person vizionar”.

“Mendoj se vonesa që BE-ja po ia shkakton Ballkanit Perëndimor, do të ketë pasoja. “Nuk është në interes të askujt që për shkak të çështjeve të brendshme të vendeve anëtare të BE-së, të vonohet integrimi i Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, duke thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret demokratike para tri viteve.

“Fatkeqësisht, BE-ja akoma nuk ka marrë një vendim të tillë të liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe jemi vendi me i izoluar i Evropës”, është ankuar ai.

Related Posts