UK

KE: Rreziku për një Brexit pa marrëveshje është rritur

Rreziku që Britania e Madhe të largohet nga BE-ja pa marrëveshje më 31 tetor, ditë e parashikuar për Brexit, është rritur, theksoi sot Komisioni Evropian, në një kohë kur Boris Johnson është përballur me vështirësi të tjera në Londër.

“Koha e shkurtër që mbetet dhe situata politike në Britaninë e Madhe kanë rritur rrezikun që Britania e Madhe të tërhiqet në këtë datë pa marrëveshje”, nënvizoi ekzekutivi europian në këtë dokument.

Brukseli ka kërkuar për kompanitë dhe qytetarët e Bashkimit Europian të vazhdojnë të përgatiten për çdo rezultat të mundshëm dhe të mos bazohen në hipotezën se një zgjatje e datës së Brexit do të kërkohet nga Britania e Madhe.

Komisioni theksoi se rrjeti i sigurisë irlandeze, dispozitë e marrëveshjes së Brexit, për të cilën kryeministri britanik kërkon tërheqje, është e vetmja zgjidhje për të ruajtur paqen irlandezo-veriore dhe tregun unik.

Ky rrjet sigurie ose “backstop” parashikon mbajtjen e gjithë Britanisë së Madhe në një union doganor për të shmangur rikthimin në një kufi fizik mes provincës britanike të Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.

Komunikata e ekzekutivit europian është publikuar në momentin kur Britania e Madhe është zhytur në një krizë politike që mund të çojë në zgjedhje legjislative të parakohshme, për shkak të strategjisë së kontestuar të Johnson mbi Brexit.

Ky i fundit ka humbur dje betejën e parë si kryeministër pasi deputetët konservatorë rebelë dhe të opozitës, të cilët kundërshtojnë një tërheqjeje pa marrëveshje apo “no deal” nga BE, i kanë rrezikuar maxhorancën në pushtet./ATSH/

Related Posts