Kosova

Hashim Thaçi takon Richard Grenell

Amerikanët kanë shtuar thirrjet për zhbllokim sa më të shpejtë të fazës së fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këtë qëndrim e  ka përsëritur në një takim privat në Berlin me presidentin e vendit, Hashim Thaçin, i dërguari i posaçëm i presidentin Amerikan për dialogun, Richard Grenell.

Larg syrit të mediave është mbajtur dje në kryeqytetin gjerman një takim në mes të presidentit të vendit, Hashim Thaçit e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.

Temë kryesore, merret vesh se ka qenë ajo e zhbllokimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, megjithatë, është diskutuar edhe për situatën aktuale në vend, me theks të veçantë, zhvillimet pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, shkruan Express.

Ky takim është mbajtur i fshehur për mediat, megjithatë Gazeta Express merr vesh se presidenti i vendit është takuar dje me Grenell, derisa, gjatë ditës së djeshme është kthyer prap në vend.

Presidenca nuk ka kthyer përgjigje të pyetur për këtë temë, Në anën tjetër, nga zyra e Grenell kanë konfirmuar këtë informacion.

Në zyrën e Grenell të pyetur për takimin e djeshëm dhe temën e diskutimit, kanë thënë se nuk mund të japin informacione lidhur me takimet private që mban ambasadori amerikan në Gjermani.

Dick Custin, zyrtar për media në zyrën e të dërguarit special për dialogun Kosovë – Serbi ka thënë për Gazetën Express se Grenell takohet rregullisht me njerëz dhe grupe të ndryshme.

 “Faleminderit shumë për kërkesën tuaj. Ne nuk i komentojmë takimet private të ambasadorit Grenell. Por, mund të supozoni se ai takohet me disa njerëz dhe grupe rregullisht”, ka thënë Custin.

Temë kryesore dialogu Kosovë – Serbi kishte qenë edhe gjatë nëntorit kur sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo takoi në Berlin kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Grenell.

Ky i fundit ka bërë të ditur se është në diskutime të vazhdueshme me liderë të Kosovës dhe Serbisë, si përpjekje për të zhbllokuar dialogun.

Dy muaj më parë, Grenell ka qëndruar në Kosovë, me që rast është takuar me liderët në vend, ku edhe ka përsëritur kërkesën që sa më shpejtë të vazhdohen negociatat në dialogun Kosovë – Serbi, për gjetje të marrëveshjes.

Dialogu Kosovë – Serbi është duke qëndruar pezull që nga vendosja e masës 100 për qind për produktet serbe e boshnjake nga Qeveria e Kosovës.

Që nga atëherë përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian kanë qenë shumë të zëshëm duke kërkuar pezullimin e kësaj mase, që t’i hapet rrugë vazhdimit të fazës së fundit të dialogut.

Related Posts