Albania

Qeveria e Shqipërisë premton 800 euro në muaj për familjet e viktimave të tërmetit

Nga 100 mijë lekë në muaj ose rreth 800 euro, do të marrin të gjithë qytetarët shqiptarë që humbën familjarë të tyre në tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri.

Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, të mbajtur të hënën, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri të ditur se edhe pensionistët e prekur nga tërmeti, do të ndihmohen nga Qeveria, raporton KTV.

I pari i qeverisë shqiptare, po ashtu, bëri të ditur se që nga e diela ka filluar sistemimi i familjeve që kanë mbetur pa vendstrehime dhe se kjo procedurë pritet të përfundojë së shpejti.

Kurse, gjatë ditës është takuar edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare. Sipas një njoftimi të presidentit shqiptar, Ilir Meta, kjo është bërë për të koordinuar sa më mirë punën e të gjitha institucioneve në përballjen e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë.

‘’Sot në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. E mbështetëm Prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës.

Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm”, ka thënë Ilir Meta, president i Shqipërisë.

Ndërkaq, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me situatën e krijuar nga fatkeqësia, veçanërisht me ndërtimet e shumta.

Sipas mediave shqiptare, ndër të tjera do të hetohen persona zyrtarë për keqpërdorim të detyrës në dhënien e lejeve ndërtimore dhe cilësinë e këtyre ndërtimeve.

Related Posts