Albania

Qeveria shqiptare publikon të dhënat për tërmetin e 26 nëntorit

Qeveria e Shqipërisë ka publikuar të dhënat më të reja në lidhje me tërmetin që e goditi vendin më 26 nëntor në orën 03:54 minuta.

Deklarata e plotë:

Vijojmë me përditësimin e të dhënave dhe bilancin paraprak të punës së institucioneve publike për adresimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019, deri në orën 18:30 të ditës së sotshme.

Ashtu siç e bëmë me dije edhe në komunikimin me ju të orës 13:00, të dhënat janë mbledhur nga veprimet e ndërmarra, të cilat janë ende në proces, dhe ecin përpara me shpejtësi në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë dhe Lezhë.

QENDRA E RE DISPEÇER

Ashtu sikurse e njoftuam edhe më herët, tashmë, janë në funksion të plotë tre numra të gjelbër në dispozicion të qytetarëve për çdo nevojë, për qarqet Durrës, Lezhë, Tiranë:

  • 0694114100
  • 0694114101
  • 06941144040

Në dispozicion të thirrjeve të qytetarëve janë aktualisht gjashtë operatorë, ndërkohë, që duke filluar që nga dita e nesërme, do të vihen në funksion edhe tre numra të tjerë të gjelbër.

Gjithashtu, në hyrje të Bashkisë së Durrësit janë vendosur tre pika informacioni, InfoPoint, të pajisura me infrastrukturën e nevojshme të

teknologjisë së informacionit për të bashkërenduar procesin dhe logjistikën e akomodimit të qytetarëve me banesa të prekura nga tërmeti.

DËMET NË BANESA

Vijoi ndërkohë, me intensitet puna në terren për inspektimin e të gjithë dëmeve në banesa nga ekipet vendase dhe ndërkombëtare në të gjithë qarqet e prekura.

Duke falënderuar partnerët dhe të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, dua të theksoj sërish, se përveç  ekspertëve që kanë ardhur deri tani nga Greqia, Turqia, SHBA, BE, Zvicra dhe Franca, kemi konfirmuar dhe presim që, duke filluar nga nesër, të vijnë edhe ekspertë të tjerë.

Grupet e inspektimit janë shpërndarë përkatësisht në Bashkinë Durrës, Bashkinë Krujë dhe Bashkinë Shijak.

Ndërkohë, kemi një përditësim të bilancit paraprak të inspektimeve, si në vijim:

  • Bashkia Durrës – 378 Objekte të inspektuara, 150 të pabanueshme, 21 për tu prishur;
  • Bashkia Krujë – 46 Objekte të inspektuara, 5 të pabanueshme, asnjë për t’u prishur;
  • Bashkia Shijak – 45 Objekte të inspektuara, 25 të pabanueshme, asnjë për t’u prishur;

Në rang qarku, 469 objekte të inspektuara

 Vazhdon shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Deri më sot, ora 18:30, janë prishur 15 objekte të shkatërruara, 8 objekte në qytetin e Thumanës dhe 7 objekte në Durrës.

Aktualisht, në Durrës vijon aksioni dhe po punohet në 8 objekte.

 RENDI DHE SIGURIA

Theksojmë se për përballimin e situatës  nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës të mbështetura me shërbime shtesë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së  Shtetit me FLO, efektiva të rendit, efektiva të policisë rrugore strukturat janë në gadishmëri dhe me angazhim maksimal.

Mbi 800 punonjës policie në terren që monitorojnë situatën e rendit, mbështesin grupet e inspektimit në territor, mbështesin grupet IMT që janë duke vepruar për prishjen e objekteve që rrezikojnë , ruajtjen e pallateve që kanë rrezik të lartë për banorët, sigurojnë qendrat e akomodimit në hotele, sigurojnë qendrat e grumbullimit dhe shpërndarjes së ndihmave, mbështetjen e grupeve të verifikimit në terren, ruajtjen e rendit dhe parandalimin e çdo ngjarje që cënon liritë, pronën dhe  jetën qytetarëve.

SHËNDETËSIA

Sa i takon shërbimit shëndetësor tani është i përqendruar në qendrat 24-orëshe afër zonave të prekura dhe ekipet në terren në hotelet ku janë banorët.

1990 vizita dhe trajtime mjekësore në hotele ku janë vendosur banorët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit

376 të sëmurë kronikë të evidentuar në hotele kanë marrë trajtimin e nevojshëm

Në pikat e emergjencës ka nisur vaksinimi kundër gripit për të sëmurët kronikë, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në 5 vjeç, për t’i mbrojtur nga viruset stinore.

3100 vizita dhe trajtime mjekësore në qendrat shëndetësore 24/7 pranë zonave të prekura nga tërmeti

1500 fëmijë po marrin shërbim psiko-social

300 psikologë dhe punonjës sociale po japin trajtim psikosocial

SIGURIA USHQIMORE

Për ndjekjen e situatës dhe pasojave të tërmetit, AKU-ja është angazhuar në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, me qëllim kryesor sigurimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve.

Janë vendosur trupat inspektuese pranë qëndrave të grumbullimit të produkteve ushqimore të cilët kontrollojnë çdo produkt ushqimor, ndërkohë që inspektorët kontrollojnë dhe monitorojnë 24/24 orë këto vendgrumbullime.

Për monitorimin nga Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë angazhuar në total 80 inspektorë, duke monitoruar rreth 60 vendgrumbullime të produkteve ushqimore të cilët kanë kryer rreth 240 inspektime të ndara sipas një grafiku në grupe, sipas zonave dhe turneve.

Për zonën e Durrësit janë monitoruar:

  1. Kompleksi Goga Basket
  2. Shkolla e mesme “Leonik Tomeo”
  3. Magazinat e rezervave të shtetit

Për zonën e Shijakut janë monitoruar:

  1. Shkolla “Petrit Llaftiu”
  2. Arena Shijak,
  3. Zjarrëfiksja Shijak

Për zonën e Sukthit janë monitoruar:

  1. Pallati i Kulturës Sukth
  2. Vendgrumbullimi Manëz

Për zonën e Krujës janë monitoruar:

  1. Palestrën e shkollës “Ramazan Jangozi”
  1. Nikel
  2. Bubq
  3. Fusha e sportit, Fushë-Krujë

Për zonën e Tiranës janë monitoruar:

  1. Magazinat e Komandës Mbështetëse të Logjistikës (Reparti 4001/4002).
  2. Magazinat e Rezervave të Shtetit nr. 8 në Lundër
  3. Shkolla 9 – vjeҫare Lundër
  4. Njësia e Emergjencave Civile të Bashkisë Tiranë me adresë Lundër

Për zonën e Vorës janë monitoruar:

  1. Hotel Kontinental
  2. Shkolla 9 – vjeҫare Marqinet
  3. Qendra Kulturore e Bashkisë Vorë

Për zonën e Kamzës janë monitoruar:

  1. Qendra Kulturore Kamëz
  1. Stadiumi i Kamzës

Për zonën e Golemit janë monitoruar:

  1. Kompleksi Diamma
  2. FAFA Resort
  3. Resorti Bonita
  4. Kolaveri
  5. ALER Group
  6. Prestige Hotel and Resort

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin dhe vëmendjen, ju njoftoj për takimin e rradhës me përditësimin e informacionit nesër në orën 13:30.

Faleminderit dhe natë të mirë e të qetë të gjithëve!/TCh/

Related Posts