Kosova

Haziri: VV-LDK do të jetë qeverisja e ardhshme

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka folur para mediave pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

Ai është shprehur shumë optimist në arritjen e marrëveshjes së koalicionit mes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Kemi qenë të drejtpërdrejt në bisedime, i kemi mbyllur të gjitha çështjet që na kanë dalluar. Jemi në përpjekje që sonte, nesër e pasnesër t’i realizojmë angazhimet tona”, tha ai, transmeton Koha.net.

Haziri, ndonëse, tërthorazi prapë ka thënë se Kryeparlamentari i takon LDK-së.

“Jemi pajtuar që qeverinë ta udhëheq Vetëvendosja në krye me Kurtin. E LDK-ja, të jetë e fokusuar në përgjithësi në këtë fazë të Kuvendit të Kosovës”, tha Haziri.

“Ne do të vazhdojmë të takohemi. Të bisedojmë e të negociojmë. Të sjellim një marrëveshje që të hënën të kemi qeveri të re. Do të kemi program ambicioz”, tha Haziri.

I pyetur nga gazetarët se a do ta votojnë qeverisjen Kurti nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje me ta, ai ka thënë se nuk mbështesin qeverinë e pakicës sepse nuk tregojnë rezultat. Ai gjithashtu theksoi se “nuk do të ketë qeveri të pakicës e as qeverie teknike”, duke shtuar se qeverinë e ardhshme do ta qeverisin VV bashkë me LDK-në.

Related Posts