Albania

Konferenca e Donatorëve, Varhelyi: Të ftuar të gjitha shtetet anëtare dhe organizatat financiare

Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Olivér Varhelyi, deklaroi sot se në  Konferencën e Donatorëve në 17 shkurt në Bruksel në mbështetje të tërmetit të 26 nëntorit që preku Shqipërinë janë të ftuar për të kontribuuar të gjithë shtetet anëtare, të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare, dhe organizatat ndërkombëtare.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Varhelyi shprehur ngushëllimet më të thella familjarëve që kanë humbur të afërmit e tyre, miqtë e tyre.

“Më lejoni t’iu siguroj që ne do të qëndrojmë në krah të Shqipërisë dhe do të vazhdojmë të ndihmojmë me çfarëdolloj që të mundemi”, u shpreh Komisioneri.

“Ne do të organizojmë Konferencën e Donatorëve , natyrisht së bashku me kryeministrin në 17 shkurt në Bruksel. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen do të jetë mikpritësja dhe do ta çelë këtë Konferencë. Ne presim që do të ketë rezultate shumë të mira kjo Konferencë. Do të flasim me të gjithë shtetet anëtare, me të gjithë institucionet financiare ndërkombëtare, por dhe me organizatat ndërkombëtare, me të gjitha shtetet që ato të vijnë të japin kontributin e tyre në mënyrë që të ketë një kontribut të konsiderueshëm”, tha Varhelyi.

Po ashtu, shtoi ai, “kemi biseduar në fakt për këtë gjë me kryeministrin edhe për njoftimin që kemi bërë pra për shifrën e 15 milionë eurove që e ka thënë tashmë KE që në takimin e parë të Kolegjit të Komisionerëve dhe më kanë thënë që ka filluar zbatimi i kësaj shifre prej 15 milionë euro dhe do të jetë në terren së shpejti për të ndihmuar qytetarët në këto momente të menjëhershme”.

“Nga kryeministria ne do të shkojmë pastaj në Durrës që dhe unë të shoh se cilat janë pasojat e tërmetit aty në terren  dhe do ta vazhdojmë pastaj ditën me takime me Presidentin e republikës, por edhe me opozitën. Pra siç e thashë unë do të flas me të gjithë politikanët e vendit”, theksoi Varhelyi./ATSH/

Related Posts