UK

Lordët ndryshojnë Brexit-in e Boris Johnson

Dhoma e Lordëve i shkaktoi kryeministrit, Boris Johnson, dy humbje të mëtejshme sot në procesin e miratimit të marrëveshjes së tij të Brexit-it, në lidhje me bashkimin familjar të fëmijëve refugjatë dhe me konsultimin e Skocisë dhe Uellsit.

Në total, kreu i qeverisë konservatore ka hasur pesë pengesa, që kur Dhoma e Lartë e Parlamentit britanik, ku ai nuk ka shumicën, filloi të shqyrtojë projektligjin e tij për daljen nga Bashkimi Evropian.

Me 300 vota pro dhe 220 kundër, Dhoma e Lordëve miratoi sot një ndryshim të paraqitur nga lordi laburist, Alf Dubs, që synon të ruajë të drejtën e bashkimit familjar për të miturit refugjatë të pashoqëruar, pas Brexit-it. Kjo e drejtë garantohet brenda BE-së.

Projektligji për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, në variantin e miratuar nga deputetët, nuk përmend më angazhimin e qeverisë së mëparshme për të ruajtur bashkimin familjar për të miturit refugjatë.

Qeveria merr përsipër vetëm t’i mbajë parlamentarët të informuar për përparimin e diskutimeve me Brukselin, mbi këtë temë./ATSH/

Related Posts