Kosova

Kurti siguron mbështetjen amerikane për zëvendësimin e taksës me reciprocitet

Ka marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), plani i kryeministrit Albin Kurti për ta hequr tarifën prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë Serbinë dhe për ta zëvendësuar atë me aplikim reciprociteti të plotë me këtë shtet. Paralelisht kësaj, kritika i janë adresuar kreut të opozitës, Kadri Veseli, për kundërshtimin e planit të kryeministrit të ri.

Qëndrimin amerikan e ka shprehur ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, shkruan sot Koha Ditore.

E ka bërë këtë, si kundërpërgjigje ndaj një reagimi të Veselit.

“Kadri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kërkojnë Kosovës heqjen e taksës 100 %. Po e dëmton Kosovën dhe po pengon bizneset të krijojnë vende të reja të punës”, ka shkruar Grenell në Twitter. “Albini ka të drejtë këtu”.

Veseli i është përgjigjur Grenellit, po në Twitter, të premten mbrëma. E ka quajtur Kurtin gënjeshtar dhe ka thënë se vet e kishte një plan që lidhet me taksën.

“Zotëri Ambasador, Albini është gënjeshtar. Propozimi im për taksën është shumë i qartë qysh prej janarit 2019. Albini nuk e ka mbështetur dhe ka bërë fushatë kundër tij. Unë jam i shqetësuar me nxitimin e qeverisë së re për t’u marrë me këtë çështje pa një plan konkret, i cili e vendos interesin më të mirë të Kosovës në rend të parë”, ka shkruar Veseli.

Heqjen e tarifës ndaj prodhimeve të fqinjit verior e kanë paralajmëruar dy ditë më parë dy drejtuesit e rinj të institucioneve kryesore të Kosovës, kreu i Qeverisë, Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani. Por, kanë treguar se veprimin do ta ndërmarrin paralelisht vënies së masës së reciprocitetit ndaj Serbisë. Kryeministri ka treguar se do të aplikohet reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar, si zëvendësim për tarifën 100 për qind. Ndërkaq, kryeparlamentarja ka bërë të ditur se tarifa do të hiqet atëherë kur Serbia ta ndalë fushatën lobuese kundër njohjes së Kosovës.

Pas kësaj mase të vënë një vit më parë, Beogradi zyrtar ka refuzuar të marrë pjesë në fazën përmbyllëse të dialogut për normalizim, që për synim ka mbërritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese. Ndërkombëtarët vazhdimisht kanë bërë thirrje që taksa të hiqet dhe që dialogu të rifillojë. Këtë e kishte kërkuar edhe vetë Veseli, sa ishte pjesë e Qeverisë, e cila është rrëzuar pikërisht pse padëgjueshmëri ndaj tij kishte shprehur kryeministri i asaj kohe, Ramush Haradinaj.

Megjithëse ka dhënë paralajmërime për heqjen e taksës, kryeministri i ri ka thënë të premten të mos e ketë prioritet dialogun me Serbinë.

Related Posts