Albania Kosova

Meliza Krasniqi promovon veprën për Musine Kokalarin, shkrimtaren e parë shqiptare

“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”. Pas këtyre fjalëve, Musine Kokalari nuk mund t’i shpëtonte dënimit të sistemit të Enver Hoxhës.

Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie.

As torturat e vazhdueshme gjatë kohës së burgut, nuk ia ndryshuan pikëpamjet.

Musine Kokalari ishte njëra ndër themelueset e Partisë Socialdemokrate.

Në vitin 1961, e nxorën nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, u sëmur nga kanceri dhe më vonë vdiq.

Historia e disidentes së burgosur, e internuar nga diktatura, është një histori e dhimbjes së një shpirti të pamposhtur rilindës që sfidonte vdekjen, raporton “Express” i KTV-së.

Sot në 103-vjetorin e lindjes së saj, Meliza Krasniqi në pesë kapituj ka studiuar jetën e veprimtarinë letrare të Musine Kokalarit.

Aty janë përmbledhur elemente letrare dhe etnografike të shkrimtares, ndërsa paraqet edhe dimensionin politik që shpërfaq qasjen e saj antikomuniste.

Ky libër nga recensentët u vlerësua si një kontribut i çmuar i letërsisë shqipe, ku autorja shtron pyetje dhe jep përgjigje.

Tituj të veprave të Musine Kokalarit janë “Seç më thotë nëna plakë”, “Rreth vatrës”, “Sa u tund jeta” .

Në 1993, Kokalari u shpall pas vdekjes “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Sali Berisha dhe një shkollë në Tiranë tani mban emrin e saj.

Related Posts