Kosova

Pompeo e uron Kurtin dhe i kërkon heqjen e taksës

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka shkruar letër Kryeministrit Albin Kurti ku e ka uruar për marrjen e postit dhe ka kërkuar nga ai heqjen e taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.

“Heqja e tarifave në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tavolinën negociuese. Ne shpresojmë dhe presim që ju do ta bëni këtë gjë prioritet dhe do të përfitoni nga momentumi i krijuar pas dy letrave të qëllimit për të krijuar lidhje ajrore dhe hekurudhore në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, shkruan në letër Pompeo, raporton KTV.

Sekretari amerikan ka shtuar se tash është koha që të realizohen raportet normale me Serbinë.

“Është koha që të realizoni marrëdhënie normale me Serbinë, që kanë qendër njohjen e ndërsjellë, dhe e cila është thelbësore për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë afër jush për t’iu mbështetur në këtë proces”, thuhet në letër.

Ai ka thënë se Departamenti i Shtetit do të punojë së bashku me Qeverinë e Kosovës për të përparuar në qëllimet e përbashkëta siç janë: rritja ekonomike dhe sundimi i ligjit.

Letër urimi për postin e ri, Kurti ka marrë edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Philipp Kosnett.

Related Posts