Sports

Xhudistët po përgatiten për të garuar në Olimpiadë

Prej 16 marsit ekipi i Kosovës në xhudo është në karantinë. Xhudistët më të mirë në vend janë vendosur në sallën e klubit Ippon në Pejë, ku po vazhdojnë stërvitjet, por pa pasur kontakt me persona të tjerë.

Më xhudistët nuk e kanë prioritet që formën më të lartë të mundshme ta kenë në verën e këtij viti. Trajneri Driton Kuka ka përpiluar planet e reja për të arritur formën optimale në fund të vitit, apo në verën e vitit 2021. Varësisht se kur do të mbahen Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, Kuka do të aktivizojë njërin plan.

Lojërat Olimpike “Tokio 2020” duhet të mbahen prej 24 korrikut deri më 9 gusht. Por sipas të gjitha gjasave ato do të shtyhen. Presioni ndaj Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për të shtyrë Olimpiadën për shkak të përhapjes së koronavirusit po rritet vazhdimisht. IOC-ja së fundi është dorëzuar dhe ka pranuar që Olimpiada mund të shtyhet. Në të njëjtën vijë janë deklaruar edhe autoritetet e Japonisë.

Të hënën Australia, Kanadaja dhe Japonia kanë kërkuar të shtyhet Olimpiada, duke kërcënuar se nuk do të garojnë nëse ngjarja mbahet në këtë verë, sipas planifikimit.

Te ekipi i Kosovës në xhudo, që në përbërje ka plot pesë olimpistë, e vlerësojnë punë të kryer shtyrjen e Olimpiadës.

Trajneri Driton Kuka ka treguar për Koha.net që prej hyrjes në karantinë, plani i stërvitjes ka ndryshuar shumë, të vetëdijshëm që Olimpiada ka fare pak gjasa të mbahet në korrik dhe gusht të këtij viti.

“Plani i punës ka ndryshuar. Unë në parim i kam bërë dy planifikime, një nëse Olimpiada mbahet në fund të vitit e një nëse ajo shtyhet për vitin 2021. Jemi duke punuar gjëra që më shumë i përngjajnë muajve tjerë e jo marsit e prillit të një viti olimpik. Më shumë po punojmë stërvitje me bazë të gjerë e jo stërvitje specifike të xhudos”, ka thënë Driton Kuka të hënën pasdite.

Aktualisht garat e xhudos janë të pezulluara, njëjtë si në sportet tjera. Nuk dihet se kur do të vazhdojnë garat e xhudos, por ka pak gjasë që kjo të ndodhë para verës.

Të izoluar në sallën e “Ipponit” në Pejë janë dhjetë persona, ku përfshihen xhudistët dhe trajneri Kuka.

“Nuk e kemi në mendje idenë që Olimpiada të mbahet në korrik dhe gusht. Nuk ka gjasa të ndodhë kjo. Nuk jemi duke ushtruar më që në korrik të arrijmë kulmin. Prej ditës që kemi hyrë në karantinë jemi duke punuar më ndryshe. Pra puna që po bëjmë dallon shumë prej asaj që do të bënim nëse Olimpiada do të mbahej në korrik”, ka shtuar Kuka.

Pesë xhudistë të tij janë në zonën që ua siguron normën. Të gjithë do të jenë kandidatë për të fituar medalje në Lojërat Olimpike, pavarësisht se kur do të mbahen ato.

Related Posts