Vikendi i fundit në Serie A është në prag dhe shumë gjëra të rëndësishme të kampionatit janë tashmë të vendosura. Juventusi është kampion, top katërshja dhe top gjashtëshja janë të përfunduara, dhe dy nga tri vendet që dërgojnë në Serie B janë konfirmuar.
Duhet të shikohet si do të radhiten skuadrat për vendin e dytë, me Interin që i prin asaj pozite me 79 pikë, e që përcillet nga afër nga Atalanta dhe Lazio, të dyja me nga një pikë më pak, raporton KOHA.
Për Lazion, sulmuesi Ciro Immobile, i cili ka 35 gola këtë edicion, është një larg barazimit të rekordit të përgjithshëm dhe katër gola para Ronaldos sivjet.
Po të shikohet gara e mbijetesës, nuk duhet lënë pas duelet mes Lecces dhe Parmas dhe Genoas e Veronas, që do të luajnë të dielën. Genoa ka 36 pikë, një më shumë se Lecce, që pozicionohet në vendin ku do të bëhej ekipi i tretë që do të binte nga liga.
Është e rëndësishme të shikohen edhe formacionet e ekipeve, si Interi dhe Roma, të cilat më pesë dhe gjashtë gusht do të kenë duele të rëndësishme në Ligën e Evropës.
Për më tepër, Juventusi dhe Napoli që tashmë nuk kanë se çfarë të humbin dhe i kanë siguruar garat evropiane për sezonin tjetër, do të kenë sytë kah Liga e Kampionëve, ku do t’i zhvillojnë duelet e mbetura të premten dhe të shtunën.
Atalanta, që po ashtu është në Ligën e Kampionëve, do të ketë më shumë kohë për pushim, pasi me PSG-në do të luajë më 12 gusht.