Uganda ka vendosur që të shfrytëzojë një mënyrë më inovative për dërgimin e ilaçeve te pacientët që jetojnë në disa ishuj të Liqenit Viktoria me dronë.
Autoritetet shëndetësore pritet të realizojnë 20 fluturime të dronëve në muaj. Këto mjete fluturuese do të transportojnë kryesisht ilaçe kundër HIV-it për 78 komunitete dhe qendra shëndetësore në ishujt Ssese, ku shkalla e HIV-it është më e larta në Ugandë.
I ndodhur rreth 100 kilometra larg kryeqytetit Kampala, distrikti Kalangala e ka prevalencën e HIV-it 18 për qind, shumë më lart se mesatarja kombëtare prej 5.6 për qind. Sipas vlerësimeve të qeverisë, kjo shifër mund të shkojë deri në 40 për qind në disa komunitete.
Shpërndarja e ilaçeve dhe realizimi i kujdesit shëndetësor është i rrezikshëm për punëtorët dhe varet nga moti, sepse udhëtimi në ato zonë është i mundshëm vetëm përmes barkave. Shpresohet që dronët, që mund të bartin ngarkesë njëkilogramëshe dhe fluturojnë 150 kilometra, do të ofrojnë ndihmë në këtë aspekt.
Fillimisht, për këtë lloj transporti u realizua një pilot-projekt, me anë të të cilit u transportuan ilaçe për më shumë se 1.000 persona të infektuar me virusin HIV. Projekti u përkrah nga Ministria e Shëndetësisë dhe Akademia për Inovacion Shëndetësor.
Dronët do të kontrollohen nga ekspertët e trajnuar, të cilët do t’i vëzhgojnë fluturimet dhe lëshimet e këtyre mjeteve, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Shoqata Mjekësore e Ugandës e mirëpriti këtë projekt, por u shpreh e shqetësuar për mungesën e ilaçeve për shkak të financimit jo të duhur.