Koordinatori humanitar i OKB-së për Somalinë, Adam Abdelmoula tha se është thellësisht i shqetësuar për ndikimin e konfliktit mbi civilët që nga fillimi i muajit në provincë
Të paktën 100 mijë persona janë zhvendosur si pasojë e përleshjeve mes grupit Ahl al-Sunnah dhe ushtrisë federale në shtetin Galmudug të Somalisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Koordinatori humanitar i OKB-së për Somalinë, Adam Abdelmoula tha se është thellësisht i shqetësuar për ndikimin e konfliktit mbi civilët që nga fillimi i muajit në provincë.
Ai theksoi se për shkak të konfliktit, më shumë se 100 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, u detyruan të iknin në qytete që tashmë janë në kushte thatësire.
Duke theksuar se të zhvendosurit kanë nevojë për ndihmë urgjente, Abdelmoula dënoi fuqishëm dëmet në spitale gjatë përleshjeve.
Mediat lokale raportuan se shumë ushtarë dhe anëtarë të Ahl al-Sunnah humbën jetën në përleshje.
Ahl al-Sunnah, i njohur për luftën e tij kundër organizatës terroriste Al-Shabaab, pushtoi disa rajone muajin e kaluar me arsyetimin se qeveria federale nuk mund të ofronte sigurinë në provincë.
Grupi Ahl al-Sunnah, i cili u formua me fillimin e luftës civile në fillim të viteve 1990 dhe është i njohur për pikëpamjet e tij të moderuara, vendosi të bashkohej ushtarakisht me provincën Galmudug me marrëveshjen për ndarjen e pushtetit që nënshkroi në vitin 2018.