Stoltenberg: I takon Beogradit dhe Prishtinës të shmangin përshkallëzimin e situatës

 17,115 total views,  1 views today

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi sot se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës.

Deklaratën e bëri pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Bruksel.

Stoltenberg tha se situata në terren është përmirësuar, ndonëse misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë në rast të destabilizimit të situatës.

I pyetur se çfarë nënkupton paralajmërimi për ndërhyrje të NATO-s, Stoltenberg tha se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Beograd dhe Prishtinë.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”.

Stoltenberg tha se fakti që KFOR-i është misioni më i madh ushtarak i NATO-s jashtë aleancës, flet për përkushtimin e saj në parandalim të tensioneve.

Vuçiç, në anën tjetër, ka thënë se Serbia respekton misionin e KFOR-it.

“Kemi folur për atë që ka ndodhur. Nuk kemi nevojë që të shohim secilën herë situatën sipas një perspektive. E respektojmë misionin e KFOR-it dhe njoftimi i tyre atë natë ka ndikuar në ulje të tensioneve”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar deklaratës së misionit të NATO-s më 31 korrik, se është e gatshme të intervenojë nëse përshkallëzohet situata në veri të Kosovës.

Takimet në selinë e NATO-s vijnë një ditë para se Kurti dhe Vuçiç, po në Bruksel, do të takohen për të vazhduar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.