Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhshmëri me marrëveshjen e vitit 2013.
Ai ka shtuar se çdo agjendë tjetër pos njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është kthim prapa. Ai ka thënë se njohja reciproke është e mundur të arrihet vetëm në Shtëpinë e Bardhë, siç është arritur marrëveshja për normalizimin ekonomik mes dy vendeve.
“Besoj se nëse është arritur normaliteti ekonomik në Washington, atëherë edhe njohja reciproke mund të arrihet vetëm në Shtëpinë e Bardhë. Çdo agjendë qoftë për asociacion, qoftë për prona apo çështje tjera, janë çështje që janë diskutuar nga dy tri herë, dhe për mua është një kthim prapa për Kosovën, është agjendë e Serbisë. Asociacioni duhet të jetë në përputhshmëri me marrëveshjen e vitit 2013 dhe të gjithë mandatin dhe të drejtën që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Hapja e Asociacionit është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës. Parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Gjithçka ka përfunduar më vitin 2013, me opinionin e Gjykatës Kushtetuese. E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE. Hapat që i ndërmerr Serbia janë në përputhshmëri me orientimet e tyre. Nëse ndodh ndonjë veprim devijues nga marrëveshja në Washington mendoj që nuk është i shëndetshëm për paqen në rajon”, ka thënë Thaçi pas manifestimit të mbajtur për vitin e ri hebraik.
Thaçi, ka thënë se njohja e Kosovës nga Izraeli është e një rëndësie strategjike për paqen në botë. Ai ka thënë se Kosova ka shumëçka për të mësuar nga përvoja e Izraelit.
Ai ka shtuar që do të punohet që marrëveshja që u formalizua në Washington të finalizohet në tërësi.
“Njohja nga Izraeli është e një rëndësie strategjike për paqen në botë. Të dy vendet kemi pothuajse të kaluar të njëjtë, jemi përballur me një histori shumë të hidhur qe e njeh dhe respektojnë gjithë bota. Kosova ka shumëçka për të mësuar nga përvoja e izraelit. Si shtet Izraeli ka përfituar një partner strategjik me një shtet më të ri. Do të punojmë që marrëveshja që u formalizua në Washington ditë më parë të finalizohet në tërësi”, ka thënë Thaçi.