Me hartimin e protokollit të ri për koronavirus, Serie A pritet të rikthehet në aksion për xhiron e 22 të kampionatit.
Lufta për kreun e tabelës vazhdon me skuadrat e qytetit të Milanos.
Vetëm një pikë e ndan vendin e parë nga i dyti. Interi ka 49 pikë, por një ndeshje më pak të zhvilluar, atë kundër Bolognas.
Ndërkohë, Milani është i dyti me 48 pikë.
Interi do të ketë punë më të vështirë në fundjavë. Luan të dielën në orën 20:45 në udhëtim tek Atalanta e vendit të tretë, që ka 41 pikë.
Interi është i pamposhtur në gjashtë takimet e fundit në Serie A kundër Atalantas. Ka barazuar në pesë raste, derisa i ka fituar dy të tjera.
Interi sivjet është në formë shumë të mirë. E ka bindshëm sulmin më të mirë me 51 gola të shënuar dhe mbrojtjen e dytë më të mirë në ligë me 16 gola të pranuar. Vetëm Napoli ka pranuar një gol më pak.
Sidoqoftë, futbollistët e Simone Inzaghit synojnë të realizojnë edhe në këtë ballafaqim, që do të ishte i 40-ti rresht në Serie A. Do të bëhej skuadra e tretë në këtë statistikë, pasi Juventusi ka shënuar në 44 ndeshje të njëpasnjëshme në dhjetor të vitit 2017 dhe 43 herë rresht në mars të vitit 2014.
Atalanta që ishte befasia e edicionit të fundit edhe në arenën ndërkombëtare, i ka fituar vetëm tri ndeshje si vendës sivjet në Serie A, pra ka arkëtuar 12 pikë në total.
Milani i vendit të dytë do të luajë në shtëpi kundër Spezias, pjesë e të cilit është Rey Manaj. Milan – Spezia zhvillohet të hënën në orën 18:30.
“Rossonerët” i kanë fituar dy nga tri ballafaqimet në Serie A kundër Spezias.
Juventusi, që e humbi Superkupën e Italisë në mesjavë në minutën e fundit të ndeshjes nga Interi, luan kundër Udineses të shtunën në orën 20:45.