Një natë pa gjumë për lojtarët e Liverpoolit në Stamboll. Para sfidës së sotme në fazën e grupeve të Champions League, tifozët e Galatasaray organizuan një spektakël të madh fishekzjarrësh jashtë hotelit ku po qëndronin “Reds”, rreth orës 3 të mëngjesit.
Mes atyre që u zgjuan nga gjumi ishin edhe yjet Mo Salah, Florian Wirtz dhe Alexander Isak, të cilët me shumë gjasë nuk e shijuan dot qetësinë para ndeshjes.
Zhurma dhe drita e fishekzjarrëve u projektuan mbi fasadën e hotelit, duke lënë lojtarët pa mundësinë për të pasur një gjumë të plotë e të qetë.
Ky veprim konsiderohet si “përshëndetja” e parë e tifozëve turq, të njohur në gjithë Europën për pasionin dhe atmosferën e zjarrtë në stadium. Në Rams Park pritet një mjedis edhe më i frikshëm, me koreografi, flakadanë dhe brohoritje të fuqishme.
Galatasaray, kampion në fuqi dhe fitues i tre titujve të fundit në Superligën turke, është në formë perfekte me shtatë fitore në shtatë ndeshje.
Me lojtarë si Ilkay Gundogan, Leroy Sane, Victor Osimhen dhe Mauro Icardi, skuadra e Ozan Burak do të kërkojë një tjetër sukses. Liverpool, që vjen pas humbjes së parë në kampionat ndaj Crystal Palace, do të kërkojë të reagojë sot pavarësisht mungesave të rëndësishme.




