Trajneri i Eintracht Frankfurtit, Oliver Glasner, trajneri i portierëve Jan Zimmermann dhe drejtori sportiv Markus Krosche, kanë vlerësuar lart paraqitjen e portierit kosovar Diant Ramaj.
Portieri 20-vjeçar të dielën debutoi në Bundesligë me fanellën e Eintracht Frankfurtit. Skuadra nga Frankfurti barazoi në udhëtim, 1:1, kundër Augsburgut, në kuadër të xhiros së 19-të të elitës së futbollit gjerman.
Ramaj u paraqit nga minuta e parë në vend të portierit të parë Kevin Trapp, që është i infektuar me koronavirus. Portieri me prejardhje nga Gjakova ka qenë rregullisht në stol te skuadra e Frankfurtit, ndërsa të dielën fitoi rastin të luajë nga minuta e parë. Për paraqitjen e tij mori vlerësime shumë pozitive.
Trajneri Olivier Glasner është i mërzitur që ekipi i tij nuk fitoi. Por atë e gëzon paraqitja e mirë e Ramajt.
“Jam pak i trishtuar që nuk fituam, gjë që mund ta kishim bërë. Nga ana tjetër kishim një paraqitje të madhe nga Diant Ramaj. Ajo që më gëzon shumë është paraqitja e Diant Ramajt i cili ishte i shkëlqyer”, ka thënë trajneri Glasner për faqen zyrtare të klubit gjerman.
Ramaj pësoi një gol, madje në krahun e tij. Por paraqitja e kosovarit të ri ishte mbresëlënëse. Ai në disa raste arriti të presë gjuajtjet e kundërshtarëve, ndërsa në disa situata tregoi vendosmëri dhe guxim. Për guximin e shfaqur mori lëvdata edhe nga trajneri i portierëve, Jan Zimmermann.
“Diant Ramaj bëri paraqitje të mirë. Ai ishte shumë i guximshëm, nuk është vënë re kurrë se ishte ndeshja e tij e parë në Bundesligë. Si trajner portierësh jam i lumtur për të. Ai në fund e shpëtoi skuadrën me një pritje të mirë. Ai mund të jetë i lumtur me veten e tij”, ka thënë Zimmermann.
Ndërkohë drejtori sportiv, Markus Krosche, tha se Ramaj ka shfaqur guxim të madh në ndeshjen e tij të parë në Bundesligë.
“Goli në pjesën e parë mund të mbrohej më mirë. Në fund ne duhet të pajtohemi me rezultatin. Diant Ramaj bëri një debutim të madh dhe ia doli shumë mirë. Ai ndaloi shumë harkime në zonën e tij, luajti shumë me guxim dhe pati një ndikim të madh pak para fundit kur fitoi një situatë një me një. Jam shumë i lumtur për djaloshin”, ka thënë Krosche.
Ramaj më 10 maj të vitit të kaluar nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me skuadrën e Eintracht Frankfurtit. Ai nënshkroi kontratë trivjeçare.
Më 8 gusht ai për herë të parë u ftua në ekipin e parë, ndërsa vetëm të dielën debutoi për skuadrën nga Frankfurti.
Ramaj karrierën e ka nisur te të rinjtë e një klubi të vogël gjerman. Për të rinjtë luajti edhe te Stuttgarti, Stuttgarter Kickers dhe Heidenheimi. Për këtë të fundit luajti edhe në ekipin e parë, para se vitin e kaluar t’i bashkohej Eintracht Frankfurtit.
Ramaj është pjesë e Përfaqësueses U-20 të Gjermanisë. Ka luajtur edhe për U-19 dhe U-18 të përfaqësueses gjermane.
Vëllai i tij i madh, Dijoni, është po ashtu futbollist. Aktualisht është pa skuadër, ndërsa luan si sulmues krahu.