Kosova

Sorensen zhvillon biseda të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin

Published

on

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se ka zhvilluar të enjten biseda ta ndara me kryenegociatorët e të dyja vendeve, për herë të parë prej marrjes së detyrës nga paraardhësi i tij Mirosllav Lajçak.

Sorensen shkroi në X: “I vlerësoj bisedat shumë të mira dhe i mirëpres ftesat e tyre për t’i vizituar Kosovën dhe Serbinë”.

Ai nuk dha më shumë hollësi rreth bisedave e as rreth vizitave të mundshme në Prishtinë dhe Beograd.

Sorensen, i cili e nisi zyrtarisht punën më 1 shkurt, i zhvilloi këto biseda pak ditë pasi kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, këmbyen akuza në rrjetet sociale.

Advertisement

Bislimi e akuzoi Serbinë për diskriminim dhe urrejtje ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërsa Petkoviq e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se dëshiron që komunat me shumicë serbe në Kosovë të udhëhiqen nga shqiptarët.

Nuk është e qartë se kur mund ta mbajë takimin e parë Sorensen në kuadër të dialogut, duke qenë se Kosova do të mbajë zgjedhje më 9 shkurt dhe Serbia përballet me paqartësi politike pas dorëheqjes së kryeministrit.

Në takimin e tyre të fundit në Bruksel nën ndërmjetësimin e Lajçakut, më 17 dhjetor, Bislimi dhe Petkoviq u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.

Advertisement

Ndërkohë, Sorensen, për dallim nga paraardhësi i tij, do të merret vetëm me dialogun ndërmjet dy vendeve fqinje, e jo edhe me çështje rajonale të Ballkanit.

Emërimi i Sorensenit është parë si pozitiv, duke qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin. Diplomat prej shumë vitesh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.

Advertisement

Lajçak ka qenë në pozitën e ndërmjetësuesit për pesë vjet. Përgjatë mandatit të tij është arritur Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk është bërë asnjë hap drejt zbatimit të saj.

Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.

Vetë Lajçak pati thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, muaj më parë, se pretendime të tilla nuk qëndrojnë dhe pati vlerësuar se shoqëritë në Kosovë dhe Serbi, nuk janë të gatshme për normalizim.

Advertisement

Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel qysh prej vitit 2011. REL (

Trending

Exit mobile version