Albania
Tjetërsimi i pronave të ushtrisë, Olta Xhaçka paraqitet në SPAK
Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme mëngjesin e kësaj të marte. Ish-ministrja e mbrojtjes, dyshohet se është thirrur nga prokurorët për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet që po ndërmerren për tjetërsimin e pronave të ushtrisë. Në 16 Tetor të këtij viti, hetuesit e BKH-së kryen kontrolle në disa biznesa dhe zyra, të personave të dyshuar në lidhje me dosjen e portit të Limionit në Sarandë, i cili iu dha disa biznesmenëve me qera për 20 vite, edhe pse ishte një pronë e ushtrisë shqiptare. Në mesin e personave që iu kontrolluan banesat dhe zyrat janë Artan Dulaku, Genard Kastrati, Bardhyl Kollçaku, ish-gjenerali i ushtrisë në kohën e firmosjes së kontratës dhe 3 persona të tjerë ende të pa identifikuar
Hetimi për portin e Limionit në Sarandë nisi pas kallëzimit në SPAK nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021 kundër vendimit të Këshillit të Ministrave, që më 1 korrik 2020 vendosi që Baza Detare Limion me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 265 mijë metra katrorë, t’i jepej me qira për 20 vjet me tarifën simbolike 1 euro bashkimit të 2 shoqërive.
Baza detare e Sarandës do të qëndrojë e sekuestruar derisa Prokuroria e Posaçme të dalë me një vendim për hetimin e nisur lidhur me procedurat e ndjekura për dhënien me qira te privati të pronës së ushtrisë.