Albania
Topalli: Basha shkatërroi opozitën
Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim dhe ish- nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topallit akuzon Lulzim Bashën se shkatërroi opozitën.
Në reagimin e saj Topalli shprehet se, “në çdo vend të botës problemi është qeveria. Në rastin tonë përsëri bëjmë përjashtim. Tek ne përveç qeverisë dhe problemeve të saj, është problem vetë drejtuesi i opozitës”.
“Njeriu që shkatërroi opozitën dhe e përgjysmoi në numra në mandatin e parë; që i dhuroi qeverisë të gjitha mandatet e deputetëve opozitarë; që i fali të gjitha këshillat bashkiakë e bashkë me ta të gjitha bashkitë në mandatin e dytë. Ai, që për 8 vite nuk rreshti duke thënë se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën e që tani po hyn si pa të keq në zgjedhje pikërisht me Edi Ramën, është rasti politik më i çuditshëm në botë”, tha ajo.
“Problemi nuk ndalet këtu. Sa më shumë rritet pakënaqësia ndaj Edi Ramës, aq më shumë bie edhe Lulzim Basha”, përfundon reagimin e saj Topalli./ATSH/