Bota
Polonia duhet të paguajë 1 milion euro në ditë, në mosmarrëveshjen ligjore me BE-në
Gjykata e lartë e BE-së i ka thënë Polonisë të paguajë një gjobë ditore prej 1 milion euro në një mosmarrëveshje ligjore në lidhje me reformat në drejtësi, raporton BBC.
Në fillim të vitit, Polonia është urdhëruar të pezullojë një dhomë kontraverse disiplinore, por ende nuk e ka bërë këtë.
Polonia ka qenë vazhdimisht në mosmarrëveshje me BE-në për ndryshimet, që po i sheh si dobësim të pavarësisë së gjykatave polake.
Këtë muaj, Gjykata Kushtetuese e Polonisë zemëroi liderët evropianë duke refuzuar përparësinë e ligjit të BE-së.
Vendimi thoshte se pjesë të ligjit të BE-së ishin në mospajtim me Kushtetutën e Polonisë, duke shtyrë kështu presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të fliste për një “sfidë të drejtpërdrejtë ndaj unitetit të rendit juridik evropian”.
Rasti u dërgua në gjykatë nga kryeministri i Polonisë, Mateus Morawiecki, në përpjekje për të parandaluar gjyqtarët polakë që të përdorin ligjin e BE-së për të sfiduar ndryshimet gjyqësore të ndërmarra nga Qeveria.
Një faktor i rëndësishëm në këtë grindje Poloni – Be, është Komisioni Evropian, që ende nuk ka aprovuar fondin e rimëkëmbjes për COVID-19 në vlerë 59 miliardë euro, të destinuara për Poloninë dhe mund të mos e bëjë këtë derisa të zgjidhet mosmarrëveshja e tij gjyqësore.
Në një sondazh të martën ka sugjeruar se 40.8 për qind e polakëve besojnë se Qeveria duhet të pranojë humbjen dhe t’i jap fund kësaj mosmarrëveshje, ndërsa 32.5 për qind thonë se duhet të bënte kompromis.
Një pikë qendrore e reformave të diskutueshme të Polonisë është dhoma disiplinore e Gjykatës Supreme, që kritikët thonë se po përdoret për të ndëshkuar gjyqtarët e pavarur, sepse ka fuqinë të sanskionojë përmbajtjen e vendimeve të tyre.
Në korrik, Gjykata Evropiane e Drejtësisë dha një vendim të përkohshëm se Polonia duhet të pezullojë atë dhomë, pasi nuk është mjaftueshëm e pavarur dhe e paanshme. Kryeministri polak ka thënë se dhoma do të mbyllet nga forma e saj aktuale, por ai ka këmbëngulur se institucionet e BE-së nuk ka të drejtë t’i thonë Varshavës se si ta organizojë gjyqësorin e vet.
Muajin e kaluar, BE-ja i kishte kërkuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të vendosë një gjobë ditore derisa Polonia të reagojë. Të mërkurën, zëvendëspresidenti i Gjykatës ka vendosur se gjoba duhet të paguhet derisa Polonia të pezullojë Dhomën Disiplinore apo deri të marrë një vendim përfundimtar për të.
Zëvendëspresidenti ka thënë se gjoba është e nevojshme për të evituar dëmin serioz e të pariparueshëm në rendin ligjor të BE-së.
Liderët e Polonisë i kanë thënë Parlamentit Evropian këtë muaj se është e “papranueshme të flitet për ndëshkime financiare” dhe e ka akuzuar BE-në se po shkel fuqitë që ka.
Qeveria e Polonisë është urdhëruar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë të paguajë një gjobë prej 500 mijë euro në ditë për dështimin që të mbyllë përkohësisht minierën masive të qymyrit në Turow dhe termocentralin afër kufijve me Gjermani e Çeki.
Polonia ka refuzuar të paguajë gjobën duke thënë se ai central i ngrohë dhe i furnizon me ujë shtëpitë në atë zonë.