Albania
U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
Gjykata në Mechelen të Belgjikës ka shpallur fajtor për trafik droge një shqiptar 23-vjeçar. Dy muaj më parë, pas një ndjekjeje, ai u bllokua nga policia dhe në makinën e tij u gjetën pothuajse 5 kilogramë kokainë. I riu – që sipas tij vepronte për shkak të borxheve nga lojërat e fatit – nuk i mohoi faktet. “Por ju lutem, më lini të kthehem sa më shpejt në vendin tim,” kërkoi ai gjatë seancës gjyqësore.
Policia e kishte vënë re makinën e të riut në fillim të shtatorit 2024 gjatë një kontrolli në Mechelen. Kur oficerët tentuan ta ndalonin, ai u largua me shpejtësi. Ndjekja zgjati shumë pak: disa metra më tutje, makina u bllokua.
“Kjo ndodhi sepse disa automjete kishin ndaluar në rrugë,” u tha në seancë.
Ajo që ra në sy ishte se xhami i pasmë i makinës ishte i hapur. Një qese blu, e vërejtur gjatë kontrollit, ishte zhdukur.
“Por u gjet shumë shpejt,” shpjegoi prokurori Bjorn Vervoort. “Në qesen plastike kishte pak më pak se 4.6 kilogramë kokainë.”
Vlera e drogës në tregun e rrugës ishte mbi 230 mijë euro.
“Një sasi e tillë nuk u jepet tregtarëve të zakonshëm,” theksoi prokurori, duke sugjeruar se shqiptari nuk ishte një shitës i thjeshtë, por kishte mundësisht një rol të rëndësishëm në një rrjet më të madh trafiku.
“Edhe 600 eurot cash – në prerje prej 50 eurosh – si dhe dy telefonat celularë të gjetur në makinën e tij (një makinë me qira) mund të jenë prova shtesë,” shtoi prokurori.
Ai kërkoi një dënim me 2 vite burg dhe një gjobë prej 8.000 eurosh.
“Kam ardhur në Belgjikë për të punuar në ndërtim,” tha 23-vjeçari. “Me këto para doja të shlyeja borxhet e bixhozit, rreth 30.000 euro. Por këtu nuk gjeta punë.”
I riu deklaroi se kishte hyrë rastësisht në botën e drogës.
“Gjatë një daljeje nate në Bruksel,” pranoi ai. “Papritur më folën, më dhanë para dhe gjithë atë kokainë. Në këmbim, duhej ta shisja”.
Avokati i tij, Kilian Rabau, i kërkoi gjykatës të mos japë dënim efektiv me burg, por burg me kusht.
“Le të jetë një sinjal i fortë, por lejojeni të kthehet në vendin e tij,” tha ai.
Pas shqyrtimit, gjykatësja vendosi se faktet ishin të provuara dhe e dënoi të riun me 2 vite burg me kusht dhe një gjobë prej 8.000 eurosh.