Situata epidemiologjike në Republikën Demokratike të Kongos është përkeqësuar ndjeshëm, pasi autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar 993 raste të reja të infektimit me virusin Ebola, si dhe 245 viktima.
Ministri i Shëndetësisë, Samuel Roger Kamba, deklaroi se rastet e konfirmuara laboratorikisht janë rritur, ndërsa 80 pacientë janë shëruar dhe janë larguar nga qendrat e trajtimit. Ai foli nga provinca Ituri, ku u identifikuan edhe rastet e para të shpërthimit.
Sipas mediave ndërkombëtare, shpërthimi aktual i shpallur më 15 maj dyshohet se është shkaktuar nga një variant i rrallë i virusit, për të cilin aktualisht nuk ekziston as trajtim specifik dhe as vaksinë. Ndryshe nga lloji Zaire, për të cilin ekziston vaksinë, ky variant mbetet më i vështirë për t’u kontrolluar, shkruan A2CNN.
Ky është shpërthimi i 17-të i Ebola-s në vendin e Afrikës Qendrore, ndërsa autoritetet vlerësojnë se virusi mund të ketë qarkulluar për një periudhë të gjatë përpara se të shpallej zyrtarisht.


