Jonathan Andic, djali i themeluesit të ndjerë të gjigantit spanjoll të modës Mango, është arrestuar të martën në lidhje me vdekjen e babait të tij në vitin 2024. Isak Andic, i cili themeloi kompaninë e njohur në mesin e viteve 1980, humbi jetën në moshën 71-vjeçare pasi ra në një humnerë prej 97 metrash në dhjetor të vitit 2024.
Ndalimi i Jonathan Andic u konfirmua për mediat nga Policia e Katalunjës në Spanjë. Aktualisht, i arrestuari shërben si nënkryetar i bordit drejtues të Mango-s. Një zëdhënës i Gjykatës së Lartë të Drejtësisë në Barcelonë deklaroi se çështja po hetohet zyrtarisht si vrasje.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i familjes Andic u shpreh se familjarët janë plotësisht të bindur për pafajësinë e Jonathan dhe konfirmoi se ai po bashkëpunon ngushtë me autoritetet për zbardhjen e ngjarjes.
Gjatë seancës gjyqësore të mbajtur të martën në Martorell, jashtë Barcelonës, gjykatësi vendosi një garanci pasurore prej 1 milion eurosh (1,16 milion dollarë) për lirimin e tij, e cila sipas zëdhënësit të Gjykatës së Lartë “është paguar tashmë”. Megjithatë, ndaj tij janë vendosur masa kufizuese, gjykatësi ka urdhëruar dorëzimin e pasaportës dhe paraqitjen e detyrueshme javore përpara autoriteteve gjyqësore.
I lindur në Turqi, Isak Andic e themeloi Mango-n në vitin 1984, duke e kthyer atë në një perandori globale dhe një lider të industrisë spanjolle të modës, krahas markës Zara. Vitin e kaluar, kompania shënoi një rritje dyshifrore duke gjeneruar 3,8 miliardë euro qarkullim. Sipas revistës prestigjioze Forbes, Isak Andic zotëronte një pasuri prej 4,5 miliardë dollarësh në kohën kur ndërroi jetë.


