Sipas një artikulli të publikuar nga La Repubblica, situata e konvojit tokësor “Global Sumud”, e nisur drejt Gazës përmes territorit libian, është përshkallëzuar ndjeshëm pas ndërhyrjeve të forcave të armatosura dhe milicive në disa zona të vendit.
Aktivistët raportojnë përdorim force, ndalime dhe dhunë nga grupe të armatosura të lidhura me autoritetet lokale. Sipas dëshmive të pjesëmarrësve, forca speciale të maskuara dhe të armatosura rëndë kanë ndërhyrë në kamp, duke i dëbuar me forcë aktivistët dhe duke i shoqëruar me autobusë drejt destinacioneve të tjera.
Marco Contadini, një nga aktivistët, ka deklaruar se gjatë ndërhyrjes disa persona janë lënduar dhe se situata në terren ka qenë kaotike, me mungesë të qartë informacioni për fatin e të gjithë pjesëmarrësve.
Ndërkohë, ende nuk ka qartësi për dhjetë aktivistë të ndaluar më herët nga autoritetet e Libisë lindore, pasi kishin kaluar pikën kufitare pranë Sirtes. Sipas organizatorëve, ata akuzohen për hyrje të paligjshme dhe janë dërguar në Bengazi, ku pritet të mbahen në një qendër të Ministrisë së Brendshme dhe më pas të dalin para gjykatës, me mundësi dëbimi nga vendi. Procesi, megjithatë, nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe nuk dihet nëse ka nisur procedura gjyqësore.
Në anën tjetër, rreth 250 aktivistë të tjerë që ndodheshin në Libinë perëndimore janë raportuar gjithashtu se janë rrethuar dhe sulmuar nga milici të lidhura me autoritetet lokale, me qëllim që të largoheshin nga zona. Sipas dëshmive, disa prej tyre janë detyruar të hipin në autobusë dhe janë transportuar drejt qytetit të Misuratës. “Tani po na çojnë në Misurata, por nuk dihet çfarë do të ndodhë me ne. Disa prej nesh janë të plagosur”, ka thënë Contadini.

Në këtë grup ndodheshin edhe shtatë shtetas italianë. Sipas tij, dy prej tyre kishin humbur përkohësisht kontaktet, por më pas janë gjetur dhe gjendja e tyre është e qëndrueshme.
Dy aktivistë të tjerë italianë, Domenico Centrone dhe Dina Alberizia, bashkë me tetë aktivistë të tjerë ndërkombëtarë, janë ndaluar më herët nga autoritetet e Cirenaikës (rajon në lindje të Libisë)
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka deklaruar se Italia po ndjek nga afër situatën dhe shpreson për kthimin sa më të shpejtë të qytetarëve të saj. Megjithatë, sipas burimeve pranë grupit, përfaqësuesit konsullorë italianë në Bengazi ende nuk kanë arritur të takojnë të ndaluarit, ndërsa situata mund të vonohet për shkak të festës së Kurban Bajramit, e cila ka ngadalësuar procedurat administrative.
Nga ana e tij, Marco Contadini ka hedhur poshtë akuzat për hyrje të paligjshme, duke thënë se autoritetet fillimisht kishin lejuar kalimin e konvojit në pikën kufitare. Ai ka theksuar se misioni i tyre ishte humanitar dhe se pengimi i tij lidhet me faktorë politikë dhe me tensionet rajonale, përfshirë marrëdhëniet me Izraelin.

Sipas disa raporteve të sigurisë të cituara në media, ekzistojnë kontakte dhe bashkëpunime taktike mes autoriteteve të Libisë lindore (Cirenaikës) dhe Izraelit, ndërsa marrëdhënie të ngjashme janë përmendur edhe në raport me qeverinë e unitetit në Tripoli. Në këtë kontekst, kujtohet edhe polemika e dy viteve më parë pas një takimi të fshehtë në Romë mes ish-ministres së Jashtme libiane Najla al Mangoush dhe ministrit të atëhershëm të Jashtëm izraelit, Eli Cohen, që shkaktoi protesta të mëdha në Libi.
Sipas analistëve, këto zhvillime mund të kenë ndikuar në mënyrën se si autoritetet libiane kanë reaguar ndaj konvojit humanitar, fillimisht duke lejuar kalimin e tij dhe më pas duke ndryshuar qëndrim pas ndërhyrjeve të forcave të armatosura.


