Tre burra kanë humbur jetën pas një zjarri të fuqishëm që përfshiu një ndërtesë njëkatëshe në zonën e White City, në perëndim të Londrës, mbrëmjen e së shtunës.
Sipas autoriteteve, zjarrfikësit nxorën tre persona nga ndërtesa e përfshirë nga flakët. Dy prej tyre u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa i treti ndërroi jetë më vonë në spital.
Alarmi për zjarrin u dha në orën 18:52, ndërsa në operacion morën pjesë rreth 100 zjarrfikës me 15 automjete zjarrfikëse. Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 21:25. Zjarri dëmtoi më shumë se gjysmën e strukturës së ndërtesës.
Ngjarja ndodhi pranë stadiumit të Queens Park Rangers dhe jo larg qendrës tregtare Westfield. Shkaku i zjarrit mbetet ende i panjohur dhe po hetohet nga specialistët e Brigadës së Zjarrfikësve të Londrës dhe Policia Metropolitane.
Autoritetet nuk kanë publikuar ende identitetin e viktimave, ndërsa po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të tragjedisë.


