Qarkullimi hekurudhor në Britaninë e Madhe vazhdon të jetë i ndërprerë pas përplasjes së dy trenave të kompanisë East Midlands Railway pranë Bedfordit të premten pasdite, aksident që i mori jetën shoferit të njërit prej trenave dhe la dhjetëra persona të plagosur.
Të gjitha linjat ndërmjet Bedfordit dhe stacionit londinez St Pancras mbeten të mbyllura, ndërsa operatori East Midlands Railway (EMR) ka paralajmëruar ndryshime të mundshme në orare edhe gjatë së shtunës. Trenat që zakonisht nisen ose përfundojnë udhëtimin në St Pancras do të qarkullojnë vetëm deri në Bedford.
Sipas autoriteteve, aksidenti u raportua te premten. Një person humbi jetën në vendngjarje, ndërsa 11 persona pësuan lëndime shumë të rënda, 22 të tjerë u plagosën rëndë dhe 56 morën lëndime më të lehta.
Hetimet për shkaqet e aksidentit janë në vazhdim. Specialistët e Degës së Hetimit të Aksidenteve Hekurudhore dhe Policia Britanike e Transportit po punojnë në vendngjarje për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi përplasjen.
Ndërkohë, pasagjerëve të prekur nga ndërprerjet u është mundësuar rimbursimi i biletave, ndërsa biletat e datës 19 qershor mund të përdoren pa pagesë shtesë në itinerare alternative me operatorë të tjerë hekurudhorë.
EMR njoftoi gjithashtu se bagazhet e mbetura në trenat e evakuuar nuk mund të rikuperohen për momentin, derisa hetimi fillestar i policisë të përfundojë.


